Klubi i Milanit mund të ndryshojë për herë të tretë radhazi pronar në tri vitet e fundit.
Sipas agjencisë “Adnkronos”, drejtuesit më të lartë të Milanit duhet të takonin gjatë ditës së djeshme një grup përfaqësuesish nga “Fondi i investimeve të Katarit”. I kryesuar nga sheiku Abdulla bin Mohamed bin Saud Al-Thani, ky fond ka një pasur prej 335 miliardë eurosh dhe blerja e kuqezinjve që vlerësohen nga “Elliott” rreth 700-800 milionë euro do të ishin një investim krejtësisht brenda mundësive. Përveç pagesës për shumicën e aksioneve kuqezi, arabët do të “trashëgonin” edhe bilancet negative të Milanit, që sot përllogariten rreth 400 milionë euro.
Përgënjeshtrimi i klubit italian vjen duke përmendur faktin se “Elliott” ka plane disavjeçare, por për një fond që synon përfitimet, 1 miliard euro mjaftojnë për të hequr dorë nga “ëndrra” për të ringritur “Djallin”.
Në prill të 2017-ës, Silvio Berluskoni shiti kuqezinjtë për 740 milionë euro te Jonghong Li, i cili, 14 muaj më pas, humbi pronësinë e klubit duke mos respektuar këstin e kredisë ndaj fondit “Elliott”.
Planet e amerikanëve pësuan një ridimensionim, që përveçse disa largimesh veteranësh, po prekin edhe strategjinë afatshkurtër të klubit, duke qenë se merkato e sivjetme po karakterizohet nga afrime me kosto dhe moshë të ulet.