Analisti serb tregon nëse Vuçiqi po e keqpërdor Ramën për pozicion më të favorshëm në negociatat me Kosovën

37

Analisti serb dhe kryetari i Forumit për marrëdhënie etnike Dushan Janjiq, duke folur për raportet midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb  Aleksandar Vuçiq, ndikimin e Ramës në dialogun Kosovë Serbi dhe idenë e Mini Shengenit ballkanik.

Duke folur për ndikimin dhe mundësinë që kryeministri Rama ta ndihmojë dialogun Kosovë-Serbi, analisti serb tha për Radio Evropa e Lirë, se kriza në marrëdhëniet në mes Prishtinës dhe Beogradit po stërzgjatet.

“Kriza nuk mund të zgjidhet në marrëdhëniet bilaterale. As Beogradi dhe as Prishtina nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ta bërë këtë. Në një situatë të tillë, nismat si ajo që ata e quajnë gabimisht Mini Shengen janë shumë të mirëseardhura. Kjo e relativizon çështjen e kufijve. Shqipëria mund të ndihmojë në këtë drejtim. Ndoshta vetë Rama sot mund të ndihmojë më pak sesa më parë, por një Shqipëri demokratike që bashkëpunon në mënyrë bilaterale me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështet iniciativat rajonale – sigurisht që mund të ndihmojë”, tha Janjiq.

Ai më tej tha se “Tirana nuk mund të vendosë ose të nënshkruajë në emër të Prishtinës, por mund të jetë e dobishme në dialogun Kosovë-Serbi. Por, a është e dobishme sot [Tirana zyrtare]? Aktualisht nuk është për shkak se kjo ide shumë e dobishme e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nga disa qarqe në Kosovë po kontestohet shkaku i Vuçiqit dhe Ramës. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës madje po organizon demonstrata në Tiranë kundër ardhjes së Vuçiqit në kryeqytetin shqiptar. Në thelb këto janë protesta kundër Ramës”.

I pyetur nëse Vuçiq po i  keqpërdor raportet e tij me Ramën për të krijuar një pozitë më të favorshme në  negociatat me Prishtinën, Janjiq tha se nuk e ka krijuar atë përshtypje.

“Vuçiç nuk e keqpërdori  Ramën, sepse edhe Thaçi iu bashkua idesë së shkëmbimit të territoreve, megjithëse me shumë kujdes, pasi partia e tij nuk e mbështeti këtë ide. Unë do ta përshkruaja kështu: Thaçi e vendosi këmbën në atë histori për të parë se sa ishte uji i ngrohtë, kur e pa që ishte uji i valë, ai e tërhoqi shumë shpejt. Të tillë janë politikanët. Nuk mund t’u besoni në planin afatgjatë”, tha analisti serb.

Sipas tij, një gjë është e pakontestueshme. “Kosova dhe Serbia duhet të hyjnë në dialog të drejtpërdrejtë, natyrisht me ndihmën e të tjerëve, që të zgjidhin problemet e tyre të ndërsjella. Çështja kryesore është njohja [e Kosovës nga Serbia]. Por, me sa shoh unë, kjo nuk do të ndodhë kaq shpejt. Do të jetë një lloj njohjeje e ekzistimit të Republikës së Kosovës, sipas modelit të dy Gjermanive. Ndërkohë, duhet të zhvillohet bashkëpunimi rajonal që do të sigurojë lirinë e lëvizjes, do t’i lejojë njerëzit të udhëtojnë dhe të gjejnë punë”, transmeton Telegrafi.

Janjiq mendon se Vuçiqi dhe Rama nuk u morën shumë me Kosovën, por kryesisht me bashkëpunimin bilateral dhe rajonal.

“Tregtia midis Serbisë dhe Shqipërisë në 2014 ishte 300 milion. Tani është gati 400 milion. Ndërkohë, shkëmbimet intensive midis Serbisë dhe Kosovës janë zvogëluar në gati 50 milion për shkak të taksës. Kështu që nuk do të thosha që Vuçiq keqpërdori Ramën, as Rama nuk e keqpërdori Vuçiqin. Por, nuk mund të kontestohet se Shqipëria dhe Serbia kanë krijuar një ambient të mirë për bashkëpunim.  Ky ambient duhet të ruhet dhe nuk duhet të shpërthejë. Sepse, në fund të fundit, marrëdhëniet serbo-shqiptare janë garancia e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Pa pajtimin midis serbëve dhe shqiptarëve – Ballkani nuk do të jetë paqësor. Kur  Ballkani nuk është i qetë nuk do të ketë as zhvillim. Kështu që mendoj se bashkëpunimi i mirë midis Beogradit dhe Tiranës duhet të ruhet”, tha Janjiq.