ASH: Është e turpshme të flitet për mjedis jetësor të përafërt me vendet e BE-së, kur në vend kemi më shumë se dy mijë deponi të egra

23

Nëpërmjet një njoftimi të Aleancës për Shqiptarët (ASH) thuhet se “deri sa dislokimi i deponive ishin premtim i partive në pushtet, të njëjtat vazhdojnë që në masë të lartë të jenë evidente në shumë vendbanime duke rrezikuar shëndetin e banorëve”.

Sipas tyre, me ndotjen e madhe të ajrit, kjo Qeveri nuk e ka mendjen te populli por te xhepi i tyre.

“Aleanca për Shqiptarët nuk është kundër asnjë mase që ndihmon uljen e ndotjes së ajrit, por vlerësojmë se në raste si këto në të cilat vendi jonë gjendet, ka nevojë për masa prioritare dhe urgjente që tregojnë rezultate më të shpejta edhe efikase, se sa ato që më shumë bëjnë bujë dhe duhet një afat më i gjatë kohor për arritje të rezultateve”, shprehen nga kjo parti.

Nga ASH thonë se është e turpshme të flitet për mjedis jetësor të përafërt me vendet e BE-së kur në vend kemi më shumë se 2.000 deponi të egra.

“Ish-ministri Sadulla Duraku i BDI-së me vite të tëra ka premtuar zgjidhje për deponitë e egra, por që asnjëherë nuk i realizoi premtimet e dhëna. Ndërkaq, kujtojmë edhe ministrin aktual të mjedisit, Naser Nuredini se deponitë duan zgjidhje urgjente, e jo prolongim me deklarata boshe. Qytetarët paguajnë taksa për mjedisin jetësor, shuma e të cilave as vet shteti nuk e di se ku përfundon. Edhe pse për këtë çështje qeveria pati premtuar edhe Fond për Mjedisin Jetësor, asgjë konkrete për mjedisin ku jetojmë ende nuk është ndërmarrë, dhe qytetarët vazhdojnë të thithin ajër që seriozisht dëmton shëndetin e tyre.