ASH: Mund të ketë koalicione me Lëvizjen Besa dhe Alternativën

25

Zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët Flakron Bexheti, sot në konferencë për shtyp tha se mund të ketë koalicione parazgjedhore me Lëvizjen Besa dhe Alternativën.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai tha se janë të bindur në fitoren e ASH, por siç tha, duan të jenë më bindës.

“Ne si Aleancë për Shqiptarët jemi të interesuar për koalicion parazgjedhor me Besën dhe Alternativën. Ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona si Aleancë për Shqiptarët megjithatë duam fitorja të jetë edhe më e fuqishme, ashtu që jemi të hapur dhe të gatshëm të kemi bashkëpunim me Alternativën dhe me Besën. Bisedojmë me të dyja partitë, ka dëshirë dhe shpresojmë se bashkërisht do të arrijmë për një koalicion parazgjedhor që definitivisht do ta fitojë BDI-në dhe do ta ketë legjitimitetin e votuesve shqiptarë”, tha Bexheti.

Ndërsa sa i përket koalicionit me partitë maqedonase, ai tha se para zgjedhjeve nuk do të ketë koalicion të tillë.