Asnjë detaj nga dje, por “Boki 13” u tha Ruskovskës dhe mediave: Ju kërkoj falje derisa flisni gënjeshtra

69

Publiku në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) është i shokuar nga rasti djeshëm që ndodhi në dhe rreth Prokurorisë Speciale Publike: Dorëheqjen e prokurores Katica Janevës, 10 orë pas së cilit akt i është konfiskuar edhe telefoni, për siç konfirmuan sot nga Prokuroria Themelore Publike, “për aktivitete të mëtutjeshme për lëndën” të cilin e hapi dje Prokuroria Themelore Publike për rastin e reketimit të biznesmenëve nga dy të dyshuarit Bojan Jovanovski i njohur me nofkën “Boki 13” dhe Zoran Milevski i njohur si Zoki Kiçeec, transmeton Portalb.mk.

Biznesmenët ishin reketuar nëpërmjet prokurorit publik, që siç thuhet jozyrtarisht në media, është vetë Katica Janeva, biri i së cilës ka punuar në televizionin “1 TV” me pronar vetë “Boki 13” i cili në rastin e PTHP-së dyshohet për veprën penale “pranim të dhuratës për ndikim të jashtëligjshëm dhe për shpëlarje parash”, e ndërkaq Milevski për ndikim të jashtëligjshëm. Që të dy kanë tregtuar me ndikim, duke i bindur njerëzit të cilët janë pjesë e hetimeve të PSP-së , se janë të fuqishëm te prokuroi publik.

Dje Policia ka realizuar bastisje në shtëpinë e prindërve të “Boki 13”, te shtëpia e Zoki Kiçeecit dhe te “1 TV”, por jo edhe te shtëpia e Katica Janevës dhe te PSP-ja, konfirmoi sot për Portalb.mk, zëdhënësja e PTHP-së, Elizabeta Nedanovska bastisje nuk është realizuar as në PSP.

“Deri në këtë çast nuk kam paralajmërim. Nëse ka paralajmërim, do të ju dërgoj e – mail që të ju njoftoj. Deri tash s’ka njoftim as për konferencë. Mund vetëm të vërtetoj se i është marrë telefoni mobil nga një prokuror publik, për aktivitete të mëtutjeshme që janë të nevojshme në lëndën, por nuk është realizuar bastisje, por vetëm i Bastisje nuk është kryer në shtëpinë e saj. Jo as në PSP nuk është realizuar bastisje”, tha Nedanovska.

Nga ana tjetër, dje në mesnatë shefja e PTHP-së për ndjekjen e krimit të organizuar, Vilma Ruskoska ka deklaruar se dy të dyshuarve, në këtë rast “Boki 13” dhe Zoki Kiçeec janë paraburgosur.

Paraburgim 30-ditor për dy të dyshuarit për shkak të indiceve për arrati

“Po, për dy të dyshuarit është caktuar masë paraburgimi 30-ditor”, tha Ruskovska.

Meqë “Boki 13” u arrestua në vendkalimin kufitar në Bogorodicë, Ruskovska deklaroi se ka pasur indicie për arrati, prandaj i është caktuar masë e paraburgimit.

“Po, sepse është mbajtur në vendkalimin kufitar”, tha Ruskovska.

E pyetur nga gazetarët se gjatë bastisjeve a janë gjetur para, dhe a ka si dëshmi incizime, Ruskovksa u përgjigj: “Para nuk janë evidentuar, por ka incizime dhe biseda”.

“Boki 13” u tha gazetarëve dhe Ruskovskës: Ju kërkoj falje derisa flisni gënjeshtra

Dhe derisa Ruskovska jepte deklaratë para mediave, nga Gjykata doli “Boki 13”, i cili i shoqëruar nga forca policore, priste lirimin e hapësirës nga Ruskovska, dhe kur kjo ndodhi, tha:

“Ju kërkoj falje derisa flisni gënjeshtra”, tha “Boki 13”.

Ndryshe, dje “Boki 13” është arrestuar në venkalimin kufitar në Bogorodicë, i njëjti është marrë në pyetje, me çka pasdite PTHP-ja për ndjekjen e krimit të organizuar është deklaruar se i njëjti dyshohet se ka marrë reket nga biznesmenë, dhe ndaj tij ka kërkuar të parashtrohet masë e paraburgimit. Sipas Ligjit, gjykata ka afat që brenda 24 orëve të vendos ndaj kërkesës së Prokurorisë.

Dyshohet se ata kanë kërkuar 8 milion euro reket, ndërsa kanë marrë vetëm 1.5 milion euro për të paguar një prokuror publik i cili kishte ndikim për të lehtësuar gjendjen e një personi nën hetim. Të dy dyshohen për marrjen e një shume të paligjshme kundrejt favoreve, gjithashtu Boki 13 dyshohet për veprën penale pastrimi i parave.