Autobusët në Tetovë premtohen tash e tetë vite, ndërsa Arifi fajëson situatën me virusin që është tash e 3 muaj

9

Edhe pse virusi korona në RMV i mbush 3 muaj kurse premtimi i kryetares së Komunës së Tetovës për furnizim me pesë autobusë plot 8 vite, kjo nuk e ndal atë që fajin për mos ecurinë e procedurës për këtë të fundit të ja adresoje situatës me virusin korona. Premtimi i fundit ishte se prokurimi publik do të hapet në janar, ndërsa sot jemi në fund të majit kurse kjo ende nuk ka ndodhur, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse nga Komuna e Tetovës sot fajin për mos ecurinë e procedurës për blerjen e pesë autobusëve të premtuar ia hodhën virusit korona, ata harruan se në kohën kur u premtua nga kryetarja Arifi se kjo procedurë do të përfundoje, nuk kishte asnjë rast të regjistruar me virusin korona në RMV.

MARKETING 420 x 60

“I kemi siguruar të gjitha mjetet, dokumentacioni është gati dhe sipas kësaj në janar mund të fillojmë procesin e prokurimit të pesë autobusëve”, ishin këto fjalët e kryetares së Komunës së Tetovës, vetëm një ditë para vitit të ri 2020, në një konferencë për shtyp.

Me shpalljen e zgjedhjeve të muajit prill, u rrit edhe optimizmi i Komunës së Tetovës për atë se pesë autobusët e premtuar, do të mund të shfrytëzohen nga qytetarët deri në fund të këtij viti.

Ky optimizëm nuk vërejt sot, në komunikim me gazetarin e Portalb.mk nga Komuna e Tetovës tashmë “shpresojnë” se deri në fund të vitit do të ketë realizim final të këtij projekti, ndërsa fajin për mos ecurinë e procedurave, ia lane virusit korona.

“Për shkak të situates me virusin korona, në mungesë edhe të stafit të reduktuar janë pezulluar procedurat. Me tejkalimin e kësaj situate procedurat do të vijojnë konform dinamikës. Shpresojmë që deri në fund të vitit të kemi edhe realizimin final të këtij projekti” thanë nga Komuna e Tetovës.

Premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017. Ky premtim i Arifit nuk është realizuar. 

Të njëjtin premtim, Arifi e dha një konferencë për shtyp e dha 1 ditë para vitit të ri 2020, ku sipas të cilës të gjitha dokumentacionet për furnizimin e Tetovës me pesë autobusë janë kryer, dhe se prokurimi i tyre pritej të bëhet në fund të muajit janar.

“Kemi siguruar mjete nga banka botërore prej 72 milion e gjysmë denarë për furnizim me pesë autobusë për ndërmarrjen e transportit publik, dëshiroj të ju informoj se dje nga Ministria e Financave na është dërguar marrëveshja për ta nënshkruar kontratën dhe fillimin e procedurave për prokurimin e autobusëve. Sipas kësaj siç janë duke shkuar punët, mendojmë se në janar mund të fillojmë procesin e prokurimit të këtyre pesë autobusëve” tha Teuta Arifi me datë 30.12.2019.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës në shtator të këtij viti për herë të dytë e ka themeluar ndërmarrjen për transport publik “Tetova Transport”, pasi e para nuk ka arritur të vihet në funksion dhe e njëjta ka pushuar së vepruari automatikisht shkaku i afateve ligjore për funksionalizim të së njëjtës, kurse në mbledhjen e fundit të Këshillit Komunal, u votua edhe statuti i kësaj ndërmarrje.