Automjetet e policisë së Nju Jorkut filmohen duke u futur në turmat e protestuesve

94

Një video është shfaqur kur dy makina të policisë u futen në turmën e protestuesve në New York City, pasi ishin sulmuar me mbeturina nga turma e njerëzve.

Incidenti ndodhi në mbrëmjen e 30 majit ndërsa demonstratat po zhvilloheshin në të gjithë qytetin në reagim ndaj vdekjes së George Floyd në duart e katër oficerëve të policisë në Minneapolis në fillim të javës së kaluar, transmeton Telegrafi.

MARKETING 420 x 60

Videoja, e cila është filmuar afër kryqëzimit të Flatbush Avenue dhe St. Marks Avenue vetëm disa blloqe larg Prospect Park në Brooklyn, tregon një makinë të Departamentit të Policisë në New York që po bllokohet nga një grup protestuesish dhe që e goditnin makinën vazhdimisht, shkruan CNN.

Një tjetër makinë e policisë pastaj vjen aty, para se të dy makinat të futen me shpejtësi në turmën e njerëzve.

Kryetari i Bashkisë së New York, Bill de Blasio, u pyet në lidhje me incidentin në një konferencë shtypi natën vonë dhe tha se oficerët bënë atë që duhej të bënin për të dalë nga ajo situatë.

“Është e papërshtatshme që protestuesit të rrethojnë një automjet policie dhe të kërcënojnë oficerët e policisë. Kjo është e gabuar. Kjo nuk ka ndodhur në historinë e protestave në këtë qytet. Unë kam shikuar protesta për dekada, njerëzit nuk e bëjnë këtë. Është e qartë se një element tjetër ka hyrë këtu”, tha de Blasio.

“Ata po përpiqen të lëndojnë oficerët e policisë dhe duke u përpjekur të dëmtojnë automjetet e tyre”, vazhdoi de Blasio. “Dhe nëse policët janë në atë situatë, ata duhet të dalin nga ajo situatë”.

Kongresistja e Nju Jorku-ut, Alexandria Ocasio-Cortez ishte zemëruar me këtë veprim të policisë.

“Oficerët e policisë sapo u futën me makinën e tyre në turmën e njerëzve. Ata mund t’i kishin vrarë ata, dhe ne nuk e dimë se sa u plagosën. Askush nuk duhet të përplasë një makinë në një turmë njerëzore”, shkruajti ajo në Twitter.

Është e paqartë nëse ndonjë nga personat që u goditën nga makinat e policisë kishte ndonjë dëmtim serioz.

Policët e përfshirë në incident nuk janë identifikuar ende.