Banaliteti i ligësisë

9

Salajdin Salihu

O pushtet me vështrimin e Meduzës! Kështu Stefan Cvajgu e përshkruan pasionin për pushtet.

MARKETING 420 x 60

Sa e sa njerëz i ka gurëzuar, tjetërsuar, shpërfytyruar e robëruar vështrimi i gruas flokëgjarpër.

Sa e sa njerëz të zakonshëm, për shkak të këtij vështrimi, janë bërë makina mizore dhe kanë ngulur thika edhe në shpinat e njerëzve të afërt.

Sa e sa njerëz, për shkak të këtij vështrimi, janë bërë ingranazh i një sistemi të egër shtetëror.

Të paktë janë ata që nuk fiksohen te ky vështrim, as nuk duan ta dëgjojnë zërin mahnitës të sirenave të pushtetit.

Të paktë janë ata që vullneti për pushtet nuk ua shtyp pasionin për punën humane që e duan dhe që ia njohin sekretet.

Pak kush e ka Perseun brenda vetes, vrasësin e kësaj mizore, që i gurëzon njerëzit me një vështrim, nga gjaku i së cilës lindi Pegasi, ky simbol i frymëzimit poetik.

Shpesh “gërmojmë” nëpër fëmijërinë e njerëzve të veshur me pushtet për të gjetur ndonjë traumë ose ndjenjë prej të persekutuari dhe ndodh që nuk gjejmë asgjë.

Ata mund të kenë qenë njerëz si gjithë të tjerët dhe të kenë kaluar një fëmijëri të qetë, por ka qenë amoku i pushtetit që ua ka trazuar përbrenda bishën e heshtur, e cila zgjohet kur në qenie pushojnë të arrijnë valët e kulturës.

Ka të atillë që kanë derdhur lot si fëmija për shkak të vdekjes së ndonjë të afërmi, kurse pas amokut kanë dhënë urdhra për vrasjen e mijëra e mijëra njerëzve.

Ka që janë trishtuar për shkak të vrasjes së një mize dhe pastaj kanë heshtur kur janë torturuar mijëra njerëz të pafajshëm.

Një sistem i këtillë nuk krijohet vetëm nga njerëzit me vullnet për pushtet, por edhe nga njerëz me vullnet për nënshtrim.

Një sistemi të këtillë i duhen njerëzit “normalë” dhe ky është banaliteti i ligësisë, për të cilin ka shkruar mendimtarja Hannah Arendt në studimin “Eichmann-i në Jerusalem – raport mbi banalitetin e ligësisë” (1963), që u shkrua pasi ajo e ndoqi gjykimin e Adolf Eichmann-it, një nazist dhe njëri nga përgjegjësit për Holokaustin.

Eichmann-i, sipas qasjes së Arendt-it, është simbolika e ligësisë politike dhe e tmerrit moral shkaktuar prej njerëzve “tmerrësisht normalë”.

Ligësitë e mëdha jo domosdoshmërish i bëjnë vetëm fanatikët e verbuar pas një ideologjie, por edhe njerëzit që besojnë se është “normale” të jesh pjesëmarrës në aksionet kriminale të shtetit.

Eichmann-i, sipas filozofes, nuk është Mefistofeli, por “shembull i banalitetit të së keqes”.

Ai është njeriu “normal” që ka hequr dorë nga “morali i të menduarit”.

Ai është njeriu i thjeshtë që refuzon të jetë njeri.

Ai është ingranazhi i sistemit kriminal dhe roboti i dirigjuar nga eprorët.

Ai është lojali ndaj urdhërdhënësve dhe makina që pranon urdhra pa i kontestuar.

Ai e pranon ligësinë në emër të besnikërisë dhe është i bindur se e bën me përkushtim “punën e tij”.

Ai është mediokri që nuk ka brerje ndërgjegje për pasojat e veprimeve të tij, sepse nuk e ka “unin” e tij. Botës i sjellin ligësi ata që nuk e kanë “unin” e tyre, thotë Arendt-i.

Banaliteti i ligësisë qëndron te “cektësia e jashtëzakonshme”, qëndron te mungesa e gjykimit, e mendimit të thellë dhe e vullnetit të lirë.

Ligësia politike, sipas Arendt-it, nuk mund të realizohet pa rekrutimin e njerëzve “normal”, të cilët janë përgjegjës për ligësinë ashtu sikurse urdhërdhënësit, sepse kanë pranuar me vetëdije të vihen në shërbim të ligësisë.

Atë që filozofja e thotë nëpërmjet studimit të saj, poeti kanadez Leonard Cohen e thotë nëpërmjet poezisë “Gjithçka që duhet të dini për Adolf Eichmann-in”: “Sytë: Të rëndomtë / Flokët: Të rëndomta / Pesha: Mesatare / Lartësia: Mesatare / Shenja të veçanta: Nuk ka / Numri i gishtave në duar: Dhjetë / Numri i gishtave në këmbë: Dhjetë / Inteligjenca: Mesatare / Çfarë pritni? / Kthetra? / Dhëmbëprerës të mëdhenj? / Pështymë jeshile? / Çmenduri?”. /Portalb/