BDI do të garojë në zgjedhje e vetme, Grubi – partive shqiptare: Bashkohuni, ne përsëri do t’ju fitojmë

43

BDI-ja do të kandidojë e vetme në zgjedhjet e 12 prillit, kështu ka vendosur kryesia qendrore e partisë. Artan Grubi, i cili e bëri deklaratën sonte, i tha opozitës në bllokun politik shqiptar që të bashkohet, përcjell Albanews24.

“BDI është partia më e madhe politike shqiptare dhe në këto zgjedhje ajo do të kandidojë në mënyrë të pavarur, pa koalicione, as me partitë maqedonase dhe as shqiptare. Përkundrazi, ne u bëjmë thirrje partive opozitare shqiptare të bashkohen, në mënyrë që të mos humbasin votat e shqiptarëve dhe numrin e deputetëve në Kuvend. Në çdo rast, këtu është BDI që do t’i fitojë zgjedhjet dhe unë mendoj se do t’i përfaqësojmë ashtu siç i kemi përfaqësuar shqiptarët në 17 vitet e fundit, në mënyrën më dinjitoze”, tha Grubi.

I pyetur nga media në lidhje me informacionin në opinion se nuk do të ketë ministra të BDI-së në qeverinë teknike, Grubi u përgjigj se partia e tij është thelbësore për proceset politike të Maqedonisë, pavarësisht nga funksionet e tyre.

“BDI ishte faktor përcaktues në formimin e kësaj mazhorance parlamentare. Aty ku vendos BDI, aty formohet shumica parlamentare dhe kjo Qeveri. Votat e BDI ishin vendimtare për ndryshimin e emrit, marrëveshjes me Bullgarinë, barazinë gjuhësore. Dhe për reformën në drejtësi dhe anëtarësimin në NATO, sepse kështu vendosën Ali Ahmeti dhe BDI. Ne ishim këtu së bashku më 29 Janar 2017 kur ne sollëm vendimin që Maqedonia sot do të jetë para dyerve të NATO-s, me reforma gjyqësore, me barazi gjuhësore, me emër të ndryshuar, me një Kushtetutë të ndryshuar, me marrëveshjen me Bullgarinë. Për ne funksionet janë të parëndësishme”, tha Grubi.

Kjo seancë e kryesisë së BDI-së ishte e fundit para kongresit të katërt të planifikuar për të shtunën, 21 Dhjetor.

Në seancë u vendosën pesë shtylla të reja të programit, ndryshime në statut dhe draft lista për organet e kongresit të partisë. /Albanews24/