Bogdanoviq i Komunës Qendër këndoi këngë për heronjtë serbë dhe ku Kosova përmendet si ”Kosovë dhe Metohi”

55

Kryetari i komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, i cili fundjavën e kaluar u martua në kishë në Graçanicë të Kosovës nuk mendon se ka ofenduar ose nënçmuar dikë, edhe pse përmbajtja e këngës Kosovën e quan Kosmet. Kjo është shkurtesa nga emri Kosovë dhe Metohi që përdoret në Serbi. Bogadonoviq madje këndoi për heronjtë serbë që kanë luftuar në mesjetë, ai mendon se kënga nuk ofendon askënd.

“Kjo këngë nuk ofendon e as nuk nënçmon askënd dhe asgjë. Kënga u është kushtuar kishave dhe manastireve, nuk shoh se si kjo gjë mund të ofendojë dikë. Këto këngë këndohen në çdo kafene dhe restorant në Shkup, në Maqedoni dhe më gjerë”, tha Sasha Bogdanoviq – Kryetar i Komunës Qendër.

Para dy ditëve kishte reagim nga ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj. Ai për TV21 tha se sjellja e kryetarit të Qendër është e papranueshme, provokuese, që mund të jetë si pasojë e alkoolit.

“Edhe Bogdanoviq, sikur e gjithë bota, e dinë se Kosova nuk është dhe nuk do te jetë kurrë pjesë e Serbisë. Republika e Kosovës është shtet i lirë, demokratik, evropian dhe i pavarur, i cili synon integrimet euro-atlantike dhe fqinjësinë e mirë me të gjitha vendet e rajonit duke përfshirë edhe Serbinë. Ëndrrat e Bogdanoviq dhe ekstremistëve serb si ai, tashmë janë hedhur në koshat e mbeturinave dhe i takojnë së kaluarës së errtë millosheviqiane”, theksoi Gjergj Dedaj – Ambasador i Kosovës në RMV.

Bogdanoviq vjen nga radhët  e LSDM-së. Njeriu i parë i kësaj partie, Zoran Zaev distancohet duke gjykuar çdo lloj provokimesh ose mesazhe për irredentizëm që do t’i ofendonte ndjenjat e dikujt. E pyetëm Bogdanoviq se pse si kryetar dhe bartës i funksionit publik, në kohë pandemie ka bërë dasmë.

“I respektojmë të gjitha masat që i ka paraparë vendi ynë dhe i respektojmë dhe siç mund të shihni, të gjithë ne qëndrojmë në radhë”, theksoi Kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq.

Ai pohon se vetëm për t’u fotografuar e kanë shkelur masën për mbajtje të distancës.

“Kishte vetëm një fotografi ku vetë mysafirët dëshironin një fotografi të përbashkët. Përndryshe brenda kishës së manastirit dhe në oborr mbajtëm distancë”, potencoi Sasha Bogdanoviq – Kryetar i Komunës Qendër.

Për këtë reagoi edhe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe duke theksuar se politikanët gjithmonë duhet të jenë shembull për qytetarët kur bëhet fjalë për respektim të masave, e jo në kohë të pandemisë të organizojnë dasma. /TV21/