“Brexit” dominon debatin mes rivalëve për Kryeministër

17

Çështja “Brexit” dominoi debatin televiziv mes dy rivalëve që do të pasojnë kryeministren britanike, Theresa May. Konservatorët Boris Johnson dhe Jeremy Hunt ndanë pikëpamje të ndryshme edhe për skandalin e fundit të telegrameve diplomatike kundër administratës së presidentit Donald Trump.

Dy kandidatët kryesorë për postin më të lartë ekzekutiv në Britaninë e Madhe kanë përplasur edhe një herë pikëpamjet e tyre.

Debati televiziv mes Boris Johnson dhe rivalit Jeremy Hunt u dominua të martën në mbrëmje nga çështja “Brexit”.

Favoriti për kreun e ri të qeverisë, ish-kryebashkiaku i Londrës, Johnson, përsëriti qëndrimin për ta nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian siç u vendos me votë tri vite më parë.

Johnson: “Mendoj se është shumë e rëndësishme që të shmangim çdo situatë që do e shtynte daljen nga BE-ja më 31 tetor.”

Johnson nuk u përgjigj nëse do të dorëhiqej sikur të mos e përmbushte zotimin për “Brexit” në fund të tetorit.

Kjo nxiti kryediplomatin Hunt që ta fokusojë sulmin e tij te kundërshtari për shmangie të përgjigjeve direkte.

Hunt: “Boris ka një aftësi të veçantë: ti i bën një pyetje, ai të buzëqesh dhe ti harron se për çfarë e pyete. Kjo është cilësi e shkëlqyer për një politikan, por jo për kryeministrin e vendit.”

Dy konkurrentët folën edhe për skandalin e fundit të kabllogrameve të ambasadorit britanik në Uashington, ku kritikohej administrata e Presidentit amerikan për paaftësi.

Hunt tha se nëse ai zgjidhet kryeministër, ambasadori nuk do të tërhiqet nga Uashingtoni, ndërsa Johnson vlerësoi raportet e veçanta me Shtëpinë e Bardhë.

Pasardhësi i kryeministres britanike Thereza May pritet të shpallet në datën 23 korrik, kur do të kenë votuar të gjithë anëtarët e Partisë Konservatore./Ora News.tv/