Shkup, 27 shkurt – Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, në vizitën e tij të parë në rajon, zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kryediplomati u takua me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, si dhe me kryetarin e Partisë Alternativa, Afrim Gashi.

Në këto takime diskutimet u përqendruan në hapat pozitivë që Maqedonia e Veriut ka shënuar së fundi, falë kontributit të pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar, në proceset integruese Euro-Atlantike.

“Vizioni dhe vokacioni i padiskutueshëm i faktorit shqiptar në mbështetje të integrimeve Euro-Atlantike, rezultoi vendimtar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës” u shpreh ministri në detyrë Cakaj.

Ne këto takime u fol gjithashtu për rëndësinë e angazhimit të mëtejshëm të mbarë spektrit politik shqiptar në proceset e shtetkonsolidimit.

“Konsolidimi i stabilitetit dhe prosperitetit, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe për të gjithë rajonin, është një punë e vazhdueshme dhe proces i cili kërkon domosdoshmërisht edhe vazhdimin e angazhimit dhe ruajtjes së koherencës mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, theksoi ministri në detyrë Cakaj në takimet me kryetarët e partive politike shqiptare.

Kjo vizitë vjen në një moment të rëndësishëm sa i përket rrugëtimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian dhe pritshmërisë së tyre për marrjen e një përgjigjeje pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. (koha.mk)