Çfarë po fshihet në Prokurorinë Speciale?

46

Sipas njoftimeve të mediave se prokurorja publike speciale ka lëshuar ​urdhër verbal për “fshirjen të të dhënave krim-ligjore” nga kompjuterët në PSP-së, Dojçe Vele bisedoi me disa prokurorë nga ai institucion. Prokurorët pohojnë se pasi janë dëgjuar njëqind për qind e komunikimeve të përgjuara në mënyrë të paligjshme (“bombat”), të cilat iu dorëzuan kësaj prokurorie, ka filluar proces i mënjanimit gradual të këtyre materialeve, por vetëm nga kompjuterët personalë të bashkëpunëtorëve profesionalë dhe hetuesve, të cilët nuk kanë më tej nevojë për ato materiale, pasi që të gjitha janë dorëzuar te prokurorët. Ata thonë se kjo procedurë nuk mund të ndërlidhet me rastin “Reket” (Shantazhimi), por gjithashtu theksojnë se ata s’kanë informacion nëse ka ndonjë urdhër për aktivitete të tjera që eventualisht do të kishin ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë rast, njofton Portalb.mk.

“Bashkëpunëtorët profesionalë dhe hetuesit i analizojnë audio materialet, i ndajnë bisedat private nga ato zyrtare dhe të gjitha të dhënat që lidhen me këto materiale i shënojnë në Excel-tabelë (kohëzgjatja e thirrjeve, bashkëbiseduesit, fjalë kyçe sipas të cilat materiali do të mund të kontrollohej përsëri etj). Ato gjithashtu e ndajnë dhe bëjnë transkriptimin e materialeve që mund të japin indikacione për ndonjë vepër penale dhe për atë i dorëzojnë raport prokurorit. Kur puna e tyre në ndonjë audio-material të caktuar përfundon plotësisht dhe raporti dorëzohet, për arsye të sigurisë ai material s’ka më nevojë të vazhdojë të jetë e kompjuterët personalë të hetuesit dhe bashkëpunëtorëve profesionalë, prandaj ekspertët e informatikës i ‘prejnë’ dhe i kthejnë në bazë” , shpjegojnë bashkëbiseduesit tanë.

Për këtë veprim, nga aspekti i sigurisë, për punë me materiale të ndjeshme, thuhet se ekspertë të TI kanë qenë edhe në trajnim jashtë vendit.

Çdo gjë regjistrohet dhe arkivohet

Në vërejtjen tonë se bashkëpunëtorët profesionalë dhe hetuesit derisa punojnë në ato materiale në USB mund t’i incizojnë, t’i nxjerrin jashtë institucionit dhe pastaj dhe t’i keqpërdorin, bashkëbiseduesit tanë pohojnë se do të ishte veprim shumë i rrezikshëm.

“Sipas rregulloreve për trajtimin e këtyre materialeve, dihet saktësisht se kush ka pasur qasje deri te ato. Ajo mbetet e regjistruar dhe arkivohet. Edhe atëherë kur PSP-ja nuk do të ekzistojë në këtë formë, është rregulluar për sa kohë ato të dhënat do të ruhen dhe arkivohen. Dihet saktësisht se kush ka pasur qasje në to. Sepse, për shembull, ka raste të cilat i punojnë nga dy prokurorë së bashku me ekipet e tyre, kështu që grupi i personave që ka pasur qasje në këto materiale është më i madh. E gjithë kjo regjistrohet në disa nivele dhe disa herë me emër dhe mbiemër dhe të dhëna të tjera, dhe s’ka asnjë mënyrë për t’i fshirë ato. Ashtu, të gjithë pjesëmarrësit në proces janë të vetëdijshëm se abuzimi eventual sjell përgjegjësi”, e sqarojnë procesin prokurorët.

Sipas tyre, kjo është procedurë e rregullt dhe s’mund të ndërlidhet me rastin “Reket“. Por theksojnë se, në këtë moment ata nuk e dinë nëse ka ndonjë urdhër tjetër që ekspertët e informatikës të ndërmarrin ndonjë veprim, e që eventualisht do të mund të ndërlidhej me atë rast. Nga ajo që ata kanë vënë re deri më tani, thonë se në kolegjium nuk është referuar, vetëm për lëndët “Perandoria” dhe “Banka Postare”, siç ka qenë praktika për të gjitha lëndët tjera.

“Për ‘Perandoria’ dihet saktë se cilët dhe sa njerëz kanë pasur qasje në atë materiale”, thonë ata, ndërsa e quajtën “lënda nga bodrumi”, duke pasur parasysh se një pjesë shumë e madhe e materialeve për atë lëndë kanë qenë të vendosura në bodrumin e PSP-së.

Siç dihet, për shkak të defektit në një tubacion të sistemit të ngrohjes, bodrumi ishte përmbytur pjesërisht dhe uji kishte mbuluar disa nga materialet e lëndës “Perandoria”. PSP-ja atëherë pohonte se ato ishin dokumente që ishin marrë nga institucionet publike dhe shtetërore, e të cilat mund të rikthehen.

Opozita kërkon hetim të hollësishëm

PSP-ja dje i mohoi informatat e mediave, të pranuara nga persona nga ajo Prokurori, se Janeva verbalist ka kërkuar nga personeli i sektorit të IT “të bëjnë fshirje të të dhënave” nga kompjuterët.

“Të gjitha aktivitetet që ndërmerren në vazhdimësi janë vetëm për të ruajtur të të gjitha të dhënat, informacionet, dokumentet dhe aktet që janë subjekt i punës së kësaj prokurorie. Duke u udhëhequr nga rregullat për të mundësuar masa të sigurisë, teknike dhe organizative për të mbrojtur materialin e përgjithshëm që ndodhet në prokurori, ruajtja e integritetit të tij ka prioritet të lartë dhe në asnjë rast nuk do të lejohej që në çfarëdo baze ajo të vihet në rrezik”, njoftoi PSP-ja.

VMRO-DPMNE opozitare e injoroi njoftimin e PSP-së dhe akuzoi se Katica Janeva dëshiron të fsheh diçka.

“Është e qartë se, pas një skandali të këtillë Katica Janeva ka diçka për të fshehur dhe duke qenë se edhe prokuroria edhe qeveria ende po heshtin, ndërsa Katica Janeva nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria, kjo do të thotë se dikush dëshiron ta fshehë edhe atë saj dhe ta heshtë tërë skandalin dhe përfshirjen e Janevës në “Reket”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE Dimço Arsovski.

VMRO-DPMNE kërkoi hetim të hollësishëm për rastin, ndërsa LSDM u përgjigj: “Ndryshe nga koha e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, kur nuk veprohej, nuk inicioheshin raste kundër regjimit kur u desh populli të ngritët kundër korrupsionit, sot ekziston mekanizëm mbrojtës në relacionin qytetarë – prokurori – MPB i cili e mbron shoqërinë dhe i cili mund të përballet me raste eventuale të korrupsionit. Shteti ka ndërtuat institucione dhe krijoi sisteme të cilat luftojnë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit”.