Delegacioni nga Kuvendi i RMV-së i udhëhequr nga deputeti i Besës, vizitë në Kosovë

38

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, ka qenë të hënën mikpritës i delegacionit të Komisionit homolog nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në Kuvendin e Kosovës, deputetja Duda Balje, tha pas takimit në një deklaratë për media se kanë konstatuar se Kosova kryeson në respektimin e të drejtave të njeriut krahasuar me vendet e rajonit.

“Kemi konstatuar se ne si Kosovë jemi lider në respektimin e të drejtave të komuniteteve në rajon dhe jemi gati të përcjellim Maqedonisë disa përvoja nga ana e Kosovës”, theksoi deputetja Balje.

Balje tha se kanë prekur edhe tema jashtë të të drejtave të njeriut, ku kanë diskutuar për tema infrastrukturore; hapjen e disa pikave kufitare mes dy vendeve.

Kryetari i komisionit për të Drejtat e Njeriut nga Maqedonia e Veriut, Fadil Zendeli, tha se po marrin pjesë në këto diskutime për të ndarë përvojat pozitive që kanë komisionet e të dyja vendeve.

“(Bashkëpunimi) Jo vetëm pse është kompetencë e jona, për shkak se duhet të jetë edhe mision yni respektimi i të drejtave të njeriut, por edhe në kontekst të asaj se, kemi detyrime si dy vende që të respektojmë të drejtat e njeriut duke pasur parasysh edhe vërejtjet që i kemi nga institucionet ndërkombëtare, progres-raportet e Komisionit Evropian dhe organizmat ndërkombëtarë”, tha Zendeli i cili theksoi se pret që ky bashkëpunim të sjellë fryte për të ardhmen në këtë aspekt.

Edhe Zendeli gjithashtu përmendi se përpos temës bosht kanë diskutuar për fushën e infrastrukturës Kosovë – Maqedoni e Veriut, bashkëpunimin ekonomik dhe përafrimin sa më të ngushtë të shteteve me Unionin Evropian dhe NATO-n.

Ky është takimi i dytë i komisioneve të njëjta nga Kuvendi i Kosovës dhe ai i Maqedonisë së Veriut, pas atij të mbajtur në Shkup vitin e kaluar, me temë të diskutimit çështjet aktuale të të drejtave të njeriut, të barazisë gjinore, të drejtat e bashkësive nacionale, si dhe këmbimi i praktikave më të mira nga këto fusha.