Salajdin Salihi
Demosteni (384 – 322 p.e.s.), ky mbrojtës i lirisë së Athinës dhe idealizues i vlerave të saj, i motivonte qytetarët kundër Filipit e më pas edhe ndaj Lekës së Madh të Maqedonisë.
Demosteni ishte i bindur se vlerat dhe kultura athinase mund të mbroheshin vetëm nëse qytetarët e Athinës nuk do të ishin indiferentë kundrejt të keqes. Sa më shumë që ishin indiferentë, aq më shumë do të fuqizohej e keqja.
“Athinas a ka menduar ndonjëri prej jush përse Filipi u bë kaq i fuqishëm?”, pyeste ky orator që qëndronte i vetëm midis oratorëve, sikurse e vlerësoi Ciceroni.
Demosteni nisi t’u fliste athinasve indiferentë për rreziqet që i kanoseshin polisit, por vuri re se askush nuk e dëgjonte. Kur pa “se si shkonte sahati” u tha se kishte ardhur në mesin e tyre vetëm që t’i argëtonte.
Sakaq ra heshtja dhe athinasit u bënë sy e vesh.
Një njeri, tha Demosteni, mori me qira një gomar. I lodhur prej vapës u shtri të pushonte nën hijen e gomarit. I zoti i gomarit kundërshtoi, sepse udhëtari nuk e kishte paguar qiranë e hijes.
Pasi tha këto fjalë Demosteni e lëshoi foltoren.
Turma bërtiti: “Prit! Na thuaj si përfundoi rrëfimi?”.
Oratori ua ktheu: “Me çfarë pasioni merreni me hijen e gomarit dhe nuk dëshironi të dëgjoni për hallet e polisit?”.
E njëjta ndodh në shoqërinë tonë, e cila është bërë indiferente ndaj halleve të polisit. Flasin ata që merren me hijen e gomarit dhe u ofrojnë njerëzve klishe, refrene, kiç politik e kulturor.
Duke qenë indiferentë ndaj të keqes, mundësojmë që të forcohen përbindëshit që luftojnë kundër vlerave më të larta të qytetërimit tonë.
A kemi menduar pse ata bëhen kaq të fuqishëm?
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.