Dita e parë e punës nga mandati pesëvjeçar i presidentit të sapozgjedhur Stevo Pendarovski

39

Në inaugurimin e djeshëm në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pendarovski tha se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, edhe i atyre të cilët votuan për të, e edhe i atyre që votuan për kundërkandidatët e tij, si dhe të atyre të cilët nuk dolën në votim.
“Puna e parë që do ta bëj, është ta shtrij dorën për bashkëpunim ndaj opozitës”, tha presidenti Pendarovski në inaugurim, duke shtuar se është koha të fillojë pajtimi qytetar sepse nuk kemi atdhe rezervë që mund ta quajmë shtëpi tonën.
Shefi i shtetit paralajmëroi se do të luftojë kundër ndarjes në shoqëri, se do t’i mbrojë të drejtat e pakicës politike, se maksimalisht do të angazhohet për përfundim të anëtarësimit të barabartë të vendit në BE dhe NATO, si dhe se posaçërisht vëmendje do t’u kushtojë marrëdhënieve ndëretnike.

Në mbledhjen solemne në Kuvend morën pjesë presidentët e Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Serbisë, ministri i Punëve të jashtme i Malit të Zi, Sërxhan Darmanoviq, shefi i diplomacisë greke, Jorgos Katrugallos, delegacione të larta të Turqisë, Polonisë dhe Sllovenisë, deputetë, funksionarë qeveritarë dhe përfaqësues diplomatik.
Urim me rastin e inaugurimit të Pendarovskit dërgoi edhe kryeministri Zoran Zaev.
Presidenti i ri, takimet e para ndërkombëtare i pati me delegacione të larta shtetërore nga shtetet fqinje ballkanike që morën pjesë në mbledhjen solemne të Kuvendit. Ai u takua me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pendarovski, i cili u mbështet nga LSDM dhe koalicioni, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale fitoi 436.212 vota, apo 51,66 për qind të votave të qytetarëve të cilët dolën në votime.
Stevo Pendarovski është shefi i pestë i shtetit që prej pavarësisë. Para tij funksionin e presidentit e kryen Kiro GLigorov, Boris Trajkovski, Branko Cërvenkovski dhe GJorge Ivanov.