E konfirmon Kurti: Nuk ka marrëveshje me LDK-në

18

Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur mbledhjen e Grupit Parlamentar, ku është pritur se do të ketë dakordim për një marrëveshje me LDK-në. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Këto dy subjkete politike shkojnë në seancën konstituive të Kuvendit pa marrëveshje për koalicion qeverisës.

Lideri i VV-së, Albin Kurti përmes një videomesazhi ka bërë të ditur se nesër në seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës do të shkojnë pa dakordim për marrëveshjen qeverisëse. Ai ka shtuar se çështjen e presidentit duhet lënë për më vonë.

“Oferta ime e parmbrëmshme e datës 23 dhjetor 2019 u refuzua dje. Ajo kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Dihet se VV si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK i takon nënkryetari i dytë. Le të bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë dhe kësisoj LDK e ka kryeparlamentarin dhe VV i ka dy nënkryetarët e Kuvendit”, tha ai.

Kurti ka propozuar që çështja e postit të presidentit të mbetet për më vonë, por nëse partneri i koalicionit të mundshëm qeverisës LDK insiston për marrjen e këtij posti, atëherë sipas tij Lëvizjes Vetëvendosje duhet t’i shtohet edhe një ministri – ajo e Punëve të Brendshme.

“Nominimi i LDK-së për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet konsensual jashtë partiak, kurse të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose të saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së.

Ai ka përmendur edh epikën e tretë, e cila ka të bëjë me kërkesën e LDK-së që MKRS të ndahet, me ç’rast kultura dhe rinia i kalojnë MASHT-it, ndërsa Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pakicat jo serbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakicat serbe Ministrinë për Komunitete”, tha ai.

Kurti ka përmendur se gjatë bisedimeve të deritanishme ka bërë katër kompromise derisa LDK-ja asnjë.

“Programi im qeverisë është 50 për qind nga ai i LDK-së, zëvendëskryeministri i parë do të jetë nga radhët e LDK-së, pesë ministri në qeveri do të jenë të LDK-së, e cila edhe zgjodhi si të përzgjidhen ato, pasi që insistonte që medoemos të zgjidhte e para”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe rreth ofertës së fundit të VV-së për LDK-në, për të cilën tha se ishte koncesioni i pestë  i LDK-së.

“Përtej kësaj ndryshe nuk mundemi, nuk duam dhe s’kemi ku shkojmë. Duam ta ndajmë përgjegjësinë qeverisëse me drejtësi e bujari duke lëshuar pe edhe pse fitues”, tha Kurti.

“Pritja i kushton shtetit, por detyrohemi të presim pasi nuk dëshirojmë zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.