Elita dhe krimi i planifikuar

12

Elita intelektuale serbe ka ruajtur raporte mira dhe të afërta me elitën politike. Ajo e ka ideuar projektin për “Serbinë homogjene”. Krimet, pastrimi etnik dhe gjenocidi në Bosnjë, sipas historianit Milivoje Beshlin, ishin planifikuar prej Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

Akademiku serb, Antonije Isakoviqi (1923 – 2002), pak para fillimit të luftërave në hapësirat e ish – Jugosllavisë, kishte thënë se do të vdisnin 80 mijë njerëz, por serbët do të jetonin në një shtet, kurse Millosheviqi do të vepronte me thikë nën fyt, që do të përdorej nëse nuk do ta zbatonte projektin për krijimin e Serbisë së Madhe.

Antonije Isakoviqi ishte akademik, shkrimtar, funksionar politik, drejtor i kompanive botuese “Prosveta” e “NIN”, autor librash, fitues çmimesh letrare, njëri prej ideologëve të politikës letrare kombëtare në Serbi dhe i politikës serbomadhe në vitet 80 – të dhe 90 –të, redaktor i librit propagandistik “Libri mbi Kosovën” (1985) nga Dimitrije Bogdanoviqi, ku flitet për një konflikt historik ndërmjet shqiptarëve e serbëve dhe ku shqiptarët paraqiten si pengesa kryesore për qëllimet hegjemoniste serbe. Nga miku i tij jetësor, Dobrica Qosiqi, ai është vlerësuar si “shkrimtar patriot, demokrat dhe nacionalist human”.

Isakoviqi, një përkrahës i zëshëm i luftës kundër Kosovës, ishte njëri nga ideatorët e “Memorandumit”, i quajtur edhe si “nekrolog i Jugosllavisë” dhe shkaktar i dekompozimit të saj.

Akademikët serbë e vlerësuan regjimin e Millosheviqit si një mjet për ta vënë në veprim idenë e “ringjalljes së shtetit të Car Dushanit”. Isakoviqi dhe Mihajlo Markoviqi ishin ideatorët për themelimin e Partisë Socialiste të Serbisë, trashëgimtare e Lidhjes Komuniste, që u drejtua nga Millosheviqi. Madje ishte nënkryetar partie. Ai kishte lidhje të afërta me Millosheviqin dhe me “zonjën Makbeth”, Mira Markoviqin. U qëndroi besnik idealeve të kamotshme dhe kur e larguan prej partisë. Thuhet se shkaku i këtij largimi ishte paraqitja jo e denjë e tij në promovimin e një libri të gruas së Millosheviqit.

Në tetorin e vitit 1999, ai bashkë me 40 akademikë, e firmosi peticionin për ndërrimin e Millosheviqit, sepse projektit nacionalist tani i duheshin lojtarë të rinj.

Kjo elitë e rehabilitoi kreun e çetnikëve serbë, Drazha Mihailoviqin, i cili në “Instruksionet” e 20 dhjetorit të vitit 1941, për komandantët Gjorgje Lashiq dhe Pavle Gjurishiq, shkruan: “Bëjeni Serbinë e Madhe… Pastroni shtetin nga të gjithë pakicat kombëtare dhe elementet jo kombëtare”. Lideri çetnik kërkonte pastrimin e shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve. Disa historianë kanë tentuar ta mohojnë këtë dokument, por askush s’mund t’i mohojë krimet e lëvizjes çetnike serbe.

Në Serbi projekti i kësaj elite intelektuale ka përkrahje nga qarqet politike në pushtet dhe opozitë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.