Është sulmuar një mjeke në Spitalin “8 Shtatori” në Shkup, intervenoi policia

81

Një mjeke është sulmuar pasditen e djeshme në Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” në Shkup, nga një grup i njerëzve, familjarë të një pacienteje që ka ndërruar jetë. Informatën për Sdk.mk e konfirmoi edhe MPB, por pa hollësi se nëse me të vërtetë këta qytetarë kanë qenë të armatosur, siç doli informata jozyrtarisht nëpër mediat e vendit.

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar Njësiti për krim të dhunshëm i MPB-së.

MARKETING 420 x 60

“Janë gjetur personat të cilët i janë kërcënuar mjekes nga SPQ ‘8 Shtatori’. Ata po i heton policia me qëllim që të zbardhet rasti. Nuk ka të dhëna zyrtare se pse ka ndodhur incidenti”, deklaruan nga MBP-ja.

Nuk është hera e parë që në “8 Shtatori” të sulmohen mjekët dhe personeli mjekësor.
Më 11 qershor policia intervenoi për shkak të një incidenti në Repartin për kujdes intensiv, i shkaktuar nga familjarë të një personi që kishte ndërruar jetë nga virusi korona.

Pasi të punësuarit ua japin lajmin për viktimën, ata vazhdimisht janë në rrezik nga sjelljet dhe sulmet nga anëtarë të familjeve të pacientëve të cilët mjekohen ose ndërrojnë jetë atje nga komplikime të shkaktuara nga vrusi korona.

Drejtori i spitalit, Hristijan Kostov deklaroi se familjet vazhdojnë t’i sjellin shumë vonë familjarët e sëmurë nga virusi korona, gjegjësisht tejet vonë, kur mezi marrin frymë, në vend që t’i sjellin më herët, që të ketë kohë për intervenim dhe ndihmë mjekësore në kohë te të infektuarit.