EVN humb toruan ndaj monumenteve kulturore, shkatërron themelet e urës së Tabakëve në Tetovë

846
Dëmtohet ura e vetme që paraqet trashëgimi kulturore në rrjedhën e lumit Shkumbin në Tetovë. Gjatë orëve të mbrëmjes së kaluar një ndërmarrje e angazhuar nga EVN Maqedoni duke hapur një kanal ka dëmtuar themelet në anën e djathtë të urës që tetovarët e njohin si ura mbi spitalin e Tetovës që lidh rrugën Sami Frashëri me pjesën tjetër të qytetit apo ura e Tabakëve.

Gjatë ditës së djeshme në vendin e ngjarjes është paraqitur edhe zëvendes ministri i kulturës, Sedat Sulejmani i cili ka konstatuar dëmtimet që janë shkaktuar në themelet e urës dhë në të njëjtën kohë ka kontaktuar me përgjegjës në Ministrinë e Kulturës dhe në inspektoratin për mbrojtjen e monumenteve kulturore të cilët dëshmuar se këto punime nuk kanë leje për punë.

Këshilltari shtetëror në ministrinë e kulturës njëherit ekspert i trashëgimisë kulturore Behixhudin Shehapi nënvizon se çfarëdolloj punimesh që realizohen në afërsi të monumenteve historike pa lejet adekuate janë të pajustifikueshme, në rastin konkret dëmet që i janë shkaktuar urës së gurit apo urës së Tabakëve janë të pariparueshme dhe për këtë dikush duhet të japë llogari.

“S’mund të justifikohet me asgjë intervenimi i papërgjegjshëm i kësaj kompanie në monumentin e kulturës, Ura e vjetër e Tabakëve në Tetovë. Dëmtimet janë të mëdha, të pakthyeshme…Asnjë riparim ose restaurim i asaj që njëherë prishet e dëmtohet nuk mund ta kthejë atë pjesë të monumentit në origjinalitet. Për çdo intervenim në monument kulturor të regjistruar duhet leje nga organet kompetente, nga Qendra nacionale e konservimit, respektivisht nga Drejtoria e trashëgimisë kulturore, të dy këto institucione janë organe të Ministrisë së Kulturës.
Shqetëson fakti se përveç individëve, as kompanitë, as organizatat e biznesit e as organet e administratës nuk e respektojnë ligjin dhe nuk kanë sens për rëndësinë e monumenteve që janë pjesë e traditës tonë të lavdishme, reflekse të së kaluarës dhe udhërrëfime për ardhmërinë tonë.
Imagjinoni, nëse një kompani e cila bazën e ka në një shtet evropian, dhe nëse në atë shtet vetëm një gurë i vjetër lëvizet nga vendi i vet, sa reperkusione mund të ketë për mosrespektimin e procedurës?!
Punëtorët që dje e kanë shpuar urën, kanë dëmtuar kanalin dhe vrimën origjinale për kalimin e ujit të “brazdës” së dikurshme.
Punëtorët kanë pasur mundësi që përçuesin elektrik dhe kabllot t’i kalojn prej aty por kan hapur vrima tjera. Por papërgjegjësia e ka bërë të veten. Fatkeqësisht!”, është deklaruar për Tv Koha, Behixhudin Shehapi.

Nga kompania EVN thonë se projekti që momentalisht është duke u realizuar në Tetovë është i mbuluar paraprakisht me të gjitha lejet e nevojshme.

EVN shpreh keqardhje për situatën që ndodhi dhe pas incidentit menjëherë e ndërpreu punën që nënkontraktuesi po realizonte në pjesën linjës tek “Ura e Tabakëve” dhe aty nuk do të punohet deri në momentin e tejkalimit të keqkuptimit të sotëm”, janë deklaruar nga kompania EVN.

Përndryshe tek pjesa e urës për momentin janë ndërprerë punimet por fatkeqësisht dëmtimet tanimë janë evidente dhe ditëve në vijim pritet që ky rast të sqarohet nga organet kompetente dhe dëmtuesit eventual të mbajnë përgjegjësi, sepse ura e Tabakëve është e vetmja urë nga shumë ura mbi lumin Shkumbin që ka mbijetuar deri më sot, dhe është e mirë e përgjithshme që kjo urë të ruhet dhe sa më shpejtë të restarurohet.