Fermerët: Po rrezikohet bujqësia dhe blegtoria në Maqedoni

28

Ministria e Bujqësisë u premtoi fermerëve plotësim të nevojave të tyre, për t’i bërë ballë edhe situatës me pandeminë. Federata e Fermerëve të Maqedonisë, duke parë gjendjen e tyre se po keqësohet, adresoi disa kërkesa në favor të ruajtjes së bujqësisë. Lehtësim të kredive nga banka shtetërore me kamata të ulëta, lehtësim i pagesës së tatimeve, pagesa e subvencioneve të mbetura të vitit të kaluar dhe ato për qengjat, kontroll më i madh i shitblerjes nga ana e inspektoratit dhe riparim më i shpejtë i sistemeve të vaditjes. Këto janë disa nga kërkesat e fermerëve, shkruan Portalb.mk.

Sipas fermerëve, ata kanë dhënë disa kërkesa në qeveri, por asnjë deri më tani nuk është ndërmarrë.

“Kemi kërkuar që subvencionet e vitit të kaluar të na paguhen plotësisht, ato nuk janë paguar te shumica, dua të them se 50 përqind nuk i kanë marrë. Sidomos për riparimin e qengjave në kope nuk na i kanë dhënë, që shkon për kokë qengji 700 denarë. Gjithashtu për vitin e kaluar kishin marrë masa urgjente, për të na ndihmuar, sepse edhe vitin e kaluar fermerët kishin krizë në veprimtarinë e tyre. Sivjet i kemi dhënë qengjat, jo për leverdi, por për t’i mbuluar shpenzimet dhe dëmet që kemi në bujqësi dhe blegtori”, tha për Portalb, Skënder Ame, nënkryetar i Unionit të blegtorëve në RMV.

Ai shton se të gjitha masat e adresuara nga ana e tyre nuk janë marrë parasysh deri më sot, duke përmendur edhe kriteret që nuk mund t’i përmbushin, për të marrë kredi.

“Pra, subvencionet nuk janë dhënë plotësisht. Sa i përket masave për kredimarrje apo me kamatë shumë të ulët është kot, sepse njëherë duhet të jesh i regjistruar si firmë, pastaj të kesh katër të punësuar të regjistruar. Por, tek ne, numri i punëtorëve është i reduktuar në tërë territorin e Maqedonisë, njëherë fuqi punëtore nuk ka dhe e dyta fitimet e fermerëve janë të ulëta dhe nuk kanë hapësirë për të mbajtur tre, katër punëtorë. Kjo do të thotë se çdo propozim dhe premtim i tyre bie në ujë, sepse kriteret i kanë bërë në atë mënyrë që të mos mund të plotësohen nga ana jonë”, tha Ame.

Nënkryetari Ame rekomandon që, autoritetet qeveritare pikë së pari do të duhet të jepen subvencionet e vitit të kaluar, pastaj edhe masat e tjera, të cilat janë domosdo për mbijetesën e bujqësisë dhe blegtorisë, respektivisht fermerëve.

Në periudhën e ardhshme në bazë të kalendarit për pagesën e subvencioneve, shihet si prioritet, për këtë palë, që t’u jepet subvencionet për pagesën e qengjave të dorëzuar në thertore apo 400 denarë për një kafshë të dorëzuar.

Por, Unioni i blegtorëve thotë se kjo shumë është e pa leverdishme dhe nuk i lehtëson në harxhimet e tyre, prandaj edhe qengjat femra nuk janë shpërndarë, në shumicën e rasteve.

Autoritetet qeveritare thonë se njëherazi nevojitet të kenë prioritet gjatë pagesës së subvencioneve, ato bujq që nuk e kanë fituar mbështetjen financiare nga shteti për vitin 2018, ndërsa ajo është ndihmë direkte me 20 për qind për bartësin e ekonomisë bujqësore-familjare apo për bujkun individual.

Po ashtu Federata e fermerëve  kundërshton rritjen e akcizës së naftës, për shkak se një masë e tillë do të godet ekonomitë bujqësore në kohën kur po kryhen në mënyrë aktive, punët bujqësore në fushë. Njëherazi një hap i tillë do të shtrenjtojë jo vetëm karburantin, por edhe lëndët e para për prodhim, mjetet për mbrojtjen e bimëve dhe farat e domosdoshme për prodhimtarinë bujqësore.