Fillon mësimi online edhe në Kosovë, Kurti: Po e mbajmë që të mos i privojmë nxënësit nga shkolla

16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se sot ka filluar mësimi online për nxënësit e Kosovës dhe sipas tij që të mos privohen nxënësit nga shkolla.

Kurti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesen edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës.

MARKETING 420 x 60

Lexoni të plotë postimin e Kurtit:

“Si duket e ku ndodhet shkronja ‘C’ në gjuhën shqipe, çka janë gjysma dhe çereku në matematikë? Kështu nisi sot mësimi në distancë për fëmijët e Kosovës të klasës së parë me mësuesen Valdrina Ademaj-Ajvazi. Pastaj, klasa e dytë vazhdoi me mësuesen Blerta Hasani, e treta me Albesa Kryeziun, e katërta me Mrika Kllokoqin, kurse e pesta me mësuesen Diellonë Beka.

Filluam pra me mësimin online dhe përmes televizionit. Në RTK1 dhe RTK4, si dhe nga kompjuterët e lidhur me internetin, fëmijët filluan të ndjekin lëndët e tyre mësimore. Virusi Corona na ka mbyllur të gjithëve nëpër shtëpitë tona, dhe, ato duhet t’i bëjmë shkolla për fëmijët tanë. Nëpërmjet teknologjisë synojmë që mësimi të jetë më tërheqës për nxënësit. Mësimdhënia duhet ta hapë imagjinatën e nxënësve që ata të mësojnë më mirë e të dinë më shumë. Prindërve u kërkojmë që t’i ulin fëmijët e tyre para televizorit çdo ditë nga ora 11:15.

Po e mbajmë e-mësimin që të mos i privojmë nxënësit nga shkolla. Por, ky është edhe një rast që të gjithë ne si shoqëri të marrim pjesë në arsim e edukim si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës. Teksa 96% e amvisërive në Kosovë janë të lidhura në internet, si Qeveri do të kujdesemi edhe që të ketë energji elektrike në të gjithë territorin e Kosovës”. /Telegrafi/