Gjeneratë e re, rend i vjetër!

53

Shkruan: Erald Krifca

Gjeneratë e re, rend i vjetër!

Jemi të vetëdijshëm për faktin që tek ne shqiptarët, faktorët politik të monizmit janë akoma faktorë edhe në pluralizëm. Fuqinë dhe resurset të cilat ata arritën të ndërtojnë atëherë, shërben si një mburojë dhe shpatë për të çarë sot e kësaj dite, për të mos thënë më tej që ata skicuan me shumë gjasa edhe rrugetimin politik të periudhës së demokracisë.
Lind pyetja se a ka trashëgimi më të madhe që la kufoma e quajtur “Komunizëm” se sa hordhitë politike që kanë autoritet sot e kësaj dite?!
Për fat të keq përgjigja është pozitive dhe kjo ndërlidhet me vetëdijen intelektuale që vet e polli, zhvilloi dhe e shpërndau në popull në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë duke ndërtuar koncepte te cilat fundi i tyre është portë drejt asaj ideologjie.
Për herë të dytë shtrojmë pyetje se a ka diçka më të rëndë edhe se kjo?!
Fatkeqësia qëndron në faktin se ekziston një e keqe akoma më e madhe se e dyta. Ajo qëndron në vdekjen totale të shpirtit, moralit dhe ndarjen përfundimtare të cilën e bëri me Zotin, ndarje kjo e cila ndërtoi gjenerata të hendikepuara ku pak e morën veten pas vdekjes së sistemit. Duke qenë hije ose pasqyrim i “Darvinizmit Social” në praktikë, Komunizmi tejkalon përmasat e një ideologjie politike duke arritur të shëndrohet në një fe botërore e cila mohon gjithë tjerat. Kjo fe, i ka të gjitha elementet për t’u konsideruar e tillë duke filluar nga besimi ateist, morali amoral dhe legjislacioni që mbështetet mbi parimin e “Diktaturës së Ploretariatit”. Duke u ndalur tek morali që e kam quajtur amoral, ata teorikisht nuk janë të pamoralshëm, madje thërrasin dhe justifikohen me parimin e solidaritetit të përbashkët duke punuar sipas mundësive dhe fituar sipas nevojës; megjithatë praktika tregon të kundërten. Pa u zgjatur në këtë pikë, nuk ka se si të jetë ndryshe pas një indoktrinimi të thellë ateist dhe darvinist, të gjitha rrugët të shpien drejt korrupsionit, servilizmit, mashtrimit, shtypjes, shtrembërimit, keqshfrytëzimit, eleminimit etj. Keshtu vazhdon edhe sot, me të njejtën “kënge” e vetëm “teksti” ndryshon.