Gjykata Kushtetuese e shqyrton vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë

22

Gjykata Kushtetuese informon se iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot u vendos para gjykatësve kushtetues, por në bazë të diskutimeve të gjykatësve, si dhe për shkak të rëndësisë së lëndës, seanca do të vazhdojë në ditët në vijim.

“Gjykata kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot ka mbajtur seancë në të cilën pika e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi i iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut (‘gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut’ nr.43/2020). Në bazë të diskutimeve të gjykatësve, si dhe për shkak të rëndësisë së lëndës, u mor qëndrim që seanca të vazhdojë në ditët në vijim për çka opinioni do të njoftohet në kohë”, qëndron në kumtesën e Gjykatës Kushtetuese.

Ata informojnë se edhe në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme vazhdon që t’i kryejë kompetencat e veta kushtetuese dhe e ndjek dhe e analizon situatën me sjelljen e dekreteve me fuqi ligjore nga ana e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.