Hiperinformacioni mbi virusin në dëm të shëndetit publik

133

Në çështjet shëndetësore siç është virusi, që të gjendet gjuha e përbashkët ndërmjet të sëmurit dhe mjekut, që fjalët e përdorura të bartin një minimum mesazhi, është i nevojshëm informimi me vërtetësi i publikut dhe jo atë çfarë përcakton tregu: ”mbingarkesë informacioni” dhe ”më shumë informata, më pak dije”

Nga Emir HAMZAI

Prirjet e medias javëve të fundit në lidhje me pandeminë Covid19 janë që ndikimi i saj të zgjerohet ‘jashtë’ kufijve dhe jo të mbetet roli në një kuptim të kufizuar, për sa kohë e ka audiencën për synim. Nuk do të ndalem shumë në definimin se çfarë është media, por sipas një fraze të njohur të mendimtarit kanadez të komunikimit, Marshall McLuhan, “media është mesazhi”! Në komunikim gjuhësor, mesazhi përvetësohet nga marrësi dhe dhënësi, ndryshe mesazhi pa këto kushte nuk arrihet. Sot të gjithë kemi një mesazh, apo sipas McLuhan, sot të gjithë jemi medium dhe nuk privohet askush nga mos të qenurit e kundërta e saj. Me fjalë të tjera, çdonjëri mund të thotë diçka nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit.

Shqetësimet e ngritura nga sociologët e medias nuk janë pse secili ka mundësinë për të qenë medium, por për “mbingarkesë informacioni” nga mediumi. Akademiku Artan Fuga në librin e tij “Rrota e mundimit” thotë se shoqëria jonë jeton në kohë të medias/informacionit, por jo edhe në një shoqëri të së vërtetës. Për rrjedhojë, sipas Fugës, ne informohemi shumë, por çdo ditë e më pak dijmë, ose jepet më shumë informacion se sa duhet.
Mbingarkesa e informacionit, sipas Naom Chomsky-t shpie në ‘syrgjinosjen’ e realitetit. Si kurrë më parë nuk kemi pasur kaq shumë informacion rreth Coronavirus-it, por kurrë më shumë nuk kemi qenë kaotik dhe të padijshëm. Jo se kemi mungesë të informacionit, por kemi më shume se sa duhet. Mbingarkesa e informacionit është një problem në rritje në ‘jetën’ mediatike, ashtu edhe në jetën në përgjithësi. Sasia e informacionit është kaq e madhe sa një person nuk është në gjendje ta përpunojë apo tejkalon kapacitetin e audiencës dhe për pasojë ai nuk e përdorë në mënyrë efektive atë.