Historiani bullgar Ilçev: Për gjuhën maqedonase Bullgaria është në pozitë humbëse

118

Për opinionin publik evropian nuk është i qartë kontesti bullgar për gjuhën maqedonase. Sipas opinionit publik evropian, nëse ekziston një shtet, ai gjithashtu ka gjuhën e vet. Ky vështrim ndaj gjuhës maqedonase është pozicion humbës për ne, thotë në një intervistë për “24 orë” historiani bullgar, Ivan Ilçev, ish rektori i Universitetit të Sofjes “Shën Klimenti i Ohrit” dhe anëtar aktual i ekipit bullgar në komisionin e përbashkët maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore.

Ilçev mendon se pozicioni bullgar ndaj gjuhës është i vështirë për t’u ruajtur, por është i padiskutueshëm për historinë. Ai është skeptik se do të zgjidhen çështjet e diskutueshme midis dy vendeve deri më 10 nëntor, kur Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut do të bashkë-kryesojnë me Procesin e Berlinit, transmeton Dojçe Vele.

Megjithëse puna e Komisionit të përbashkët është e gjerë dhe komplekse dhe nuk mund të vihet nën presion të afateve, Ilçev zbulon se pikërisht pjesa bullgare e komisionit ishte nën presion politik me një afat në të cilin duhet t’i përfundojë punët.

“Unë nuk dua të bëj aludime historike, por për ne ky është 10 nëntori i dytë, pasi vitin e kaluar në takimin e pjesës bullgare të komisionit të përbashkët me presidentin Radev, ai ushtarakisht na urdhëroi që t’i zgjidhnim të gjitha mosmarrëveshjet me fqiun tonë perëndimor deri më 10 nëntor. Prandaj mendoj se në atë datë ka diçka fatale”, thotë Ilçev.

I pyetur në lidhje me deklaratën e zëvendëskryeministrit Nikolla Dimitrov, nëse gjuha maqedonase është pengesë për fillimin e negociatave me BE-në, atëherë Unioni nuk e meriton epitetin “Evropian”, Ilçev pranon se për publikun evropian është një kontest i paqartë.