Hoti: Jemi gati për dialog me Serbinë, për marrëveshje që nënkupton njohjen reciproke

36
????????????????????????????????????

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti pas takimit me liderët e partive politike tha se të gjitha partitë e pranishme në takim, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re, partitë nga radhët e minoriteteve i kanë dhënë mbështetje parimeve dhe qasjes së Qeverisë karshi procesit të dialogut me Serbinë.

Hoti tha se është i inkurajuar me këtë mbështetje dhe gjatë këtyre dy javëve kanë marrë vendime që e kanë vendosur Kosovën në pozicion shumë të favorshëm karshi dialogut me Serbinë.

“Jam i inkurajuar me këtë mbështetje dhe tash me gjithë ekipin që do ta funksionalizojë së shpejti në kuadër të Këshillit të ekspertëve për dialog brenda zyrës sime të mbështetur edhe nga disa partnerë ndërkombëtarë jemi gati të ulemi në tavolinë të dialogut për një qëllim të vetëm, për një marrëveshje përfundimtare që nënkupton njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve tona”, tha ai, raporton Telegrafi.

Ai tha se do të shkojnë besimplotë në këtë proces, në takime e ardhshme për dialogun që tashmë dihet se do të jenë së shpejti.

Hoti bëri të ditur se së shpejti do të raportojë në Kuvendin e Kosovës lidhur me platformën për dialogun, ndërsa do të kërkojë edhe themelimin e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut.

Ai sërish ftoi partitë opozitare të marrin rolin mbikëqyrës për dialogun Kosovë-Serbi përmes Komisionit parlamentar. Hoti tha se është i gatshëm ta takojë opozitën kurdo që ata duan për t’i informuar rreth dialogut dhe marrë sugjerimet nga ta.