HOTI PËRCJELLË NGA AFËR SITUATËN PAS VËRSHIMEVE NË VEND

2

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar sot Qendrën e Situatave, ku është njoftuar për së afërmi me gjendjen nëpër komuna, pas vërshimeve në shumë rajone të vendit, që u shkaktuan pas reshjeve të shiut e borës, njofton Insajderi.

Në takim me drejtorin e kësaj qendre, Shaqir Shaqiri, dhe sekretarin e Sekretariatit për Siguri, Shpend Tërdevaj, Hoti ka diskutuar për masat që duhet të ndërmerren me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës së krijuar.

“Institucionet e Kosovës janë duke e përcjellë nga afër situatën dhe të gjitha kapacitetet shtetërore janë vënë në gjendje gatishmërie, përfshirë këtu Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Shtabet Lokale dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës”, bën të ditur Hoti.

Po ashtu, Kryeministri Hoti është në komunikim edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneral-Majorin, Franco Federici, i cili ka shprehur gatishmërinë për të ofruar ndihmën e forcës paqeruajtëse  nëse një gjë e tillë do të jetë e nevojshme.

Për të parë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e fundit të cilat kanë shkaktuar vërshime në rajone të ndryshme të vendit, Hoti sot në orën 12:30 do të vizitojë fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit. /Insajderi.com