Hoxha: Gjyqësori urgjentisht duhet të kalojë procesin e “vettingut”

37

Pas “faljes” të Kançevska Milevskës, si përgjegjëse kryesore për projektin, “Shkupi-2014”, janë ngjallur reagime të shumta për mos ndëshkimin e zyrtarëve të qeverisë së kaluar. Vendimi i gjykatës për mos ngritjen e padisë penale ndaj ish ministres së Kulturës, është autogoli i radhës i gjykatave në vend. Sot, gjykata ka shpallur të pafajshëm edhe gazetarin Pavloviq Llatas dhe vëllain e tij, në rastin “Lëndina”, njofton TopAlNews.

Pas vendimeve skandaloze nga ana e gjykatave të vendit, ka reaguar sekretari gjeneral i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, në një pronocim dhënë për gazetën KOHA. Hoxha në reagimin e tij thekson se, çdo ditë qytetarët e RMV-së, dëgjojnë lajme dëshpëruese nga gjykata, prokuroria dhe nga i gjithë pushteti gjyqësor. Sekretari gjeneral Hoxha, vendimet skandaloze i konsideron se janë në dëm të vendit, duke treguar se Qeveria nuk po bën asnjë reformë në gjyqësor. Ai më tej shtoi se nevojitet “vetting” në të gjitha institucionet dhe të bëhet nga njerëz që kanë vullnet të pastër për të ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme.

“Për çdo ditë dëgjohen lajme dëshpëruese nga gjykata, prokuroria dhe i gjithë pushteti gjyqësor. Pas lirimit nga vuajtja e burgut për ish ministren Gordana Jankullovska, mosngritjen e padisë penale për ish ministren e kulturës Kançevska-Milevska, shpalljen të pafajshëm të Latasit me vllain e vet, proceset e montuara politike si dhe kur gjithë kësaj ia shton rikualifikimin e lëndës për Almirin e vogël, gjë që mundësoi uljen drastike të dënimit për vrasësin Boban Iliç, ky sistem, ky gjyqësor dhe kjo prokurori po dëshmohen si pengesat kryesore që po ngulfatin ardhmërinë evropiane të Maqedonisë të Veriut. Për fat të keq, tashmë po humbet edhe shpresa se ky shtet mund të hedhë themelet e një shteti të drejtë dhe me vlera evropiane. Urgjentisht duhet të niset “vettingu” në të gjitha institucionet nga njerëz që kanë vullnet të pastër për të ndryshuar këtë gjendje të mjerueshme. Për fat të keq, qeveria që u ngrit mbi konceptin e REFORMAVE po dëshmohet si e pa aftë për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe funksionimin e ligjit për të gjithë qytetarët në mënyrë të njejtë”, ka deklaruar Arjanit Hoxha nga Lëvizja Besa./TopAlNews/