https://albanews24.com/barcelona-e-do-seriozisht-mbappen-mund-te-ofroje-dyshen-griezmann-dembele-plus-para/

10

Aleanca për Shqiptarët (ASH) përmes një kumtese për media thotë se sistematizimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) bëhet për blerje votash.

Ata thonë se për më shumë se tre vjet qeverisje të LSDM-së dhe BDI-së, gjithçka që premtuan e realizuan të kundërtën.

“Në vend se krimi dhe korrupsioni të ulen në përqindje, ato vazhdojnë të jenë në rritje, në vend se të krijohet një sistem i mirëfilltë i sigurisë së qytetarëve, ata ende nuk i besojnë organeve shtetërore dhe në vend se të arrihet përfaqësim i drejtë dhe adekuat i qytetarëve, diskriminimi nuk ndërroi aspak kahje!”.

“Për këto arsye, Aleanca për Shqiptarët pyet publikisht ministrin Oliver Spasovski pse ende nuk kemi ligj të ri për punë të brendshme dhe polici; me çfarë të drejte ligjore dhe kushtetuese bëhet sistematizimi dhe avancimi i kuadrove të policisë; ku është zëvendësministri shqiptar të flas për përfaqësimin e ulët të shqiptarëve në Ministrinë për Punë të Brendshme ku ai është zëvendësministër. E kujtojmë zv.ministrin e BDI-së se përqindja e shqiptarëve në hierarkinë e MPB-së është vetëm 4%!”, thonë nga ASH.

Ata shtojnë se sistematizimi në prag të zgjedhjeve është joligjor.

“Bëjmë thirrje që çështjet e MPB-së të fillojnë të rregullohen me ligj, dhe jo me vendime të qeverisë, sepse një praktikë e tillë dëshmon ndikimin partiak në organe shtetërore shumë të rëndësishme siç është Ministria për Punë të Brendshme. Nuk është hera e parë që ndodhin skandale të tilla në prag të zgjedhjeve me qëllim të shfrytëzimit të pozicioneve brenda institucionale për ndikim në zgjedhje, kjo dëmton demokracinë dhe zgjedhjen e lirë të qytetarëve”, theksojnë nga ASH.