Juventus nuk heq dorë, miliona dhe tre lojtarë për të mbërritur te Pogba

29

E përditshmja italiane, “Gazzetta dello Sport”, raporton se Juventusi është i gatshëm ta sakrifikojë Paulo Dybala për Paul Pogban, mirëpo Manchester Unitedi vazhdon të insistojë se nuk do të pranojë ofertën nën 150 milionë euro për francezin.

Juventusi e dëshiron me ngulm kthimin e Pogbas në skuadër, aq sa drejtori sportiv i klubit, Fabio Paratici, është i gatshëm t’ia ofrojë Manchester Unitedit 60 deri në 70 milionë euro plus Dybalan për të marrë kartonin e kampionit të botës. E ardhmja e Dybala pritet të vendoset së shpejti pasi misioni i tij me Kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës mori fund mbrëmë, pas disfatës në gjysmëfinale kundër Brazilit.

Gjithashtu, Juventusi ka disa lojtarë, që mund të vlerësoheshin nga Solskjaer: duke filluar nga Paulo Dybala dhe Alex Sandro, të kërkuar më parë në “Old Trafford”. Ndoshta, mund të përfshihet në operacion edhe Blaise Matuidi, që menaxhohet nga Mino Raiola, ashtu si Pogba.

Manchester Unitedi ka qenë i interesuar për Dybalan, mirëpo “Djajtë e kuq” nuk janë të gatshëm të pranojnë ndonjë ofertë përveç prej 150 milionë eurove për shitjen e Pogbas.

Pas deklaratës së Paul Pogbas se kjo verë mund të jetë momenti i përsosur për të për ta nisur ndonjë projekt të ri në karrierë, Juventusi i filloi bisedimet me agjentin e mesfushorit, Mino Raiolan.