Vazhdon të jetë e nxehtë çështja e sulmuesve tek Juventusi, që njëkohësisht është dhe shumë komplekse me situatën e krijuar në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër, nga e cila priten të largohen jo pak, por të paktën katër sulmues.
Sipas medieve angleze, përveç Dybalas, për të cilin Tottenhami ka ofruar shumën e 90 milionë eurove, edhe Mandzukic, Higuain e Kean pritet të largohen nga skuadra. Nëse bardhezinjtë arrijnë të sistemojnë sulmuesit, atëherë drejtuesit e klubit do të mbyllnin menjëherë bisedimet me Interin për transferimin e Mauro Icardit, i cili pret vetëm një sinjal për t’u transferuar në Torino.
I pari që mund t’i japë lamtumirën ekipit të Sarrit dhe që ka më shumë kërkesa është pikërisht Moise Kean, i cili shkëlqeu në pjesën e dytë të sezonit me fanellën bardhezi.
Kontrata e 19-vjeçarit skadon në vitin 2020 dhe kjo e detyron Juventusin të mos pretendojë një shifër të çmendur për të shitur futbollistin.
Për momentin transferimi në Premier League duket më i mundshëm për Kean, që kërkohet me insistim nga Evertoni, edhe pse Paratici ka marrë oferta nga shumë ekipe europiane.
Për të lënë të lirë lojtarin, klubi italian pretendon shumën e 40 milionë eurove, por nuk dëshiron ta humbasë përfundimisht futbollistin.
Idealja për klubin torinez është që të përfshijë në tratativë klauzolën për riblerjen e futbollistit, por që është shumë e vështirë të pranohet, pasi do t’i linte Juventusit gjithmonë fjalën e fundit sa i takon të ardhmes së lojtarit.
Nga ana e tij Kean kërkon të luajë me vazhdimësi, pasi nuk dëshiron të mungojë në Euro 2020.
Ditët në vijim priten të jenë vendimtare për të ardhmen e futbollistit.