Kina mbështet shëndetësinë e Maqedonisë së Veriut me grante të pakthyeshme

7

Maqedonia e Veriut dhe Kina kanë nënshkruar marrëveshje për grante të pakthyeshme për realizim të projekteve në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit social, si dhe në veprimtari shkencore-hulumtuese.

Vlera e përgjithshme që do të jepet për këto qëllime është thuajse katër milionë euro.

Me këtë rast, ambasadori kinez Xhang Syo ka deklaruar se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, Kina e ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut me 325 milionë juan, duke përfshirë arsimin, kujdesin mjekësor, hulumtimet shkencore, etj.

Ai theksoi se projektet në vazhdim do të promovojnë ndërlidhjen në Ballkan, për të arritur qëllime të përbashkëta zhvillimore në rajone.

Paratë e sotme do të shfrytëzohen për blerjen e 100 veturave për nevojat e sektorit të shëndetësisë, duke përfshirë pajisje të nevojshme për Ndihmën e Shpejtë.