Kina, në kurs konfrontimi me ShBA-në

27

Deng Yuwen

Mes ShBA-së dhe Kinës ka prej vitesh fërkime, por deklarata e fundit e ministrit të Jashtëm amerikan, Mike Pompeo, për grindjen territoriale në Detin Jugor të Kinës, e ngre debatin e ndezur në një nivel të ri. Katër vjet pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit në Hagë, që i deklaroi pretendimet e Kinës në Detin Jugor për jolegjitime, kërkesat e Pekinit i përcaktoi si ilegale edhe qeveria amerikane.

MARKETING 420 x 60

“Bota nuk do t’ia lejojë Pekinit të trajtojë Detin Jugor si zonën e saj detare”, tha Pompeo.

Vëzhguesit janë të mendimit se ShBA-ja për herë të parë me këtë mori anë dhe nuk paraqitet më si zbutëse ndaj pretendimeve të Kinës. Ky pohim nga ShBA-ja nuk është kërcënim bosh. Luftanijet amerikane patrullojnë rregullisht në ujërat e kontestuara, edhe me mbështetjen e vendimit të arbitrazhit. Kina dhe ShBA janë armatosur, jo vetëm në kuptimin material, por edhe në drejtim të vullnetit për përplasje. Deklarata e luftës ndodhet mes rreshtave.

Pekini nuk tregon dobësi në këtë kontekst dhe reagon me sanksione kundër politikanëve amerikanë, mes tyre senatorët kritikë ndaj Kinës, Ted Cruz dhe Marco Rubio, të dy republikanë. Sanksionet prekin edhe koncernin e armatimeve, Lockheed Martin, që së fundmi bëri të ditur se do të shesë armë në Tajvan. Kina e sheh Tajvanin si provincën që e ka tradhtuar. Por, të gjitha këto, megjithë dramatikën që përmbajnë, janë në thelb politikë simbolike.

Masa më e ashpër që Kina ka ndërmarrë deri më tani, është bashkëpunimi i vendosur ekonomik edhe në fushën e sigurisë me Iranin. Pekini dhe Teherani, sipas raportimeve të fundit në media, kanë nënshkruar një partneritet të gjerë afatgjatë. Në 25 vitet e ardhshme, regjimi komunist do të investojë një duzinë miliardash në Iran. Si shpërblim, Kina merr naftën iraniane. Irani është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Me të ardhurat nga Kina, Irani del nga izolimi ndërkombëtar në të cilin ndodhet për shkak të programit të tij atomik të kontestuar.

Në sfondin e kërcënimit që mban në fuqi ShBA-ja ndaj Iranit, Pekini zgjedh me partneritetin me Teheranin rrugën e konfrontimit me Uashingtonin, duke rrezikuar edhe një përplasje frontale. Mesazhi nga Pekini është i qartë si kristali dhe i frikshëm. Pekini e ka menduar mirë reagimin e ShBA-së ndaj marrëveshjes afatgjatë me Iranin dhe nuk i trembet masave ndëshkuese.

Kjo vlen edhe për ekonominë. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të kontestuar të sigurisë për Hong Kongun (Ligji për Sigurinë Kombëtare të Hong Kongut) më 1 korrik, presidenti Trump nënshkroi sanksione që praktikisht mund t’i përjashtojnë të gjitha bankat kineze nga likuiditetet me dollarin amerikan, pasi ato u ofrojnë shërbime financiare individëve apo firmave të sanksionuara. Si tregu më i madh i konsumit në botë, ShBA-ja qëndrojnë në një pozicion më të fortë në tregtinë botërore.

Por, Pekini nuk shqetësohet. Në bunkerët e Bankës Qendrore Kineze ndodhen tre bilionë dollarë amerikanë si devizë rezervë. Qeveria kineze, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ShBA-së, në korrik 2020 është kredidhënësi më i madh i ShBA-së me 1,2 bilionë dollarë. Nëse ShBA-ja e përjashtojnë Kinën dhe Hong Kongun nga sistemi financiar me dollarin, ky do të ishte një dëm i madh për vetë ShBA-në dhe do t’i jepte hov ndërkombëtarizimit të valutës kineze, renminbi, i njohur si jeni.

Fu Ying, ish-zëvendësministre e Jashtme e Kinës, u pozicionua në një simpozium mbi marrëdhënien e vështirë mes dy vendeve. Kina do të luajë në mënyrë “proaktive” letrat e saj, tha ajo. Proaktiv do të thotë që Kina nuk është vetëm duke e sfiduar ShBA-në si superfuqi botërore, por po thyen edhe monopolin e pushtetit amerikan për të formësuar një rend të ri botëror sipas përfytyrimit të saj.

Kryerja e likuiditeteve në tregtisë ndërkombëtare me renminbin do të ishte hapi i parë. Tjetri: një partneritet afatgjatë me Iranin, një figurë shahu në një luftë përfaqësuese, vend që ka ambicie për të zhvilluar armë atomike. Kërcënon një konflikt i ri, deri më tani pa dhunë. Por, ajo që dihet është se asnjë palë nuk i trembet konfrontimit. Të dyja e kërkojnë duelin dhe presin momentin e duhur. /DW/