Komisioni Evropian: Kuvendi i RMV-së, para shpërbërjes ka ende punë për të bërë

11

Komisioni Evropian mbetet në rekomandimin e saj për fillimin e negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), në Bashkimin Evropian, (BE).

Sipas tyre Maqedonia i plotëson kushtet për fillim të negociatave, por ky qëndrim “nuk është kategori statike dhe nuk mund të jetohet me famën e vjetër”. Kjo porosi u dërguan nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian, në mbledhjen dyditore të filluar dje të Komitetit të përbashkët të RMV-së dhe BE-së, i cili po zhvillohet në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg.

Siç raporton korrespondenti i AIM, nga Strasburgu, shefi i Departamentit për Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim, Dejvid Kulen, në fjalimin e para të pranishmëve porositi se Komisioni Evropian, ka mandat të ndihmojë dhe të këshillojë, duke theksuar se ndihmat dhe këshillat duhet të përmbajnë edhe kritika.

Ai porositi se në këtë kontekst para zgjedhjeve, kur do të ketë Kuvend dhe pushte të ri ekzekutiv, Komisioni vlerëson se “nuk duhet të shpiket diçka ekzistuese”.

“Të gjithë deklaruat se keni harmonizim të lartë të standardeve me BE-në edhe Komisioni këtë e tha. Folët për strategjinë gjyqësore, kjo është mirë. Por duhet ta realizoni dhe lejojeni gjyqësorin të funksionojë. Kuptohet lehtë
është të thuhet”, theksoi Kulen. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, sipas Komisionit Evropian, deri në shpërbërjen e tij mund të bëj shumë punë, duke pasur parasysh se ka shumë pika në rend të ditës. Komisioni si prioritet kryesor të Kuvendit e vlerëson miratimin e propozim ligjit për integrimin e Prokurorisë Speciale Publike në Prokurorinë Publike.

Mes tjerash Kulen, potencoi se Komisioni do t’i përforcojë projektet e orientuar nga të rinjtë dhe do të ofroj ndihmë për të parandaluar largimin e inteligjentëve nga Maqedonia e Veriut, por edhe nga i gjithë rajoni i Ballkanit
Perëndimor.

Tema kryesore në ditën e dytë të takimit ishin sundimi i ligjit, reformat në gjyqësor, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsioni, si dhe sistemi zgjedhor dhe reformat e propozuara në ketë drejtim. Delegacionin e Maqedonisë së Veriut përpos Mirakovskës, e përbëjnë edhe deputetët Betian Kitev, Zhaklina Llazarevska, Nikolla Popovski, Shpresa Hadri, Ivana Tufegxhiq, Ivan Stoillkoviq dhe Meral Uzeri – Ferati.

Ky është takimi i parë i Komitetit të përbashkët me përbërjen e re zgjedhore të delegacionit të Parlamentit Evropian dhe me siguri i fundit për përbërjen e delegacionit të vendit tonë, pasi që për disa muaj pritet të zhvillohen
zgjedhjet parlamentare.

Në fund të takimit pritet të miratohen Rekomandimet përfundimtare, të cilat adresohen deri te institucionet e RMV-së dhe BE-së. Në mesin e rekomandimeve të propozuara është edhe thirrja deri te të gjitha vendetanëtare të BE-së, “të përpiqen të miratojnë vendim pozitiv sa më shpejtë që është e mundur”, për fillimin e negociatave për aderim të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, më së voni deri në takimin e Këshillit të Evropës, në mars të vitit 2020.