Në një deklaratë të përbashkët 4 kongresiste demokrate duke vënë në objektiv presidentin e SHBA-ve, Donald Trump kanë mbrojtur idenë e tyre se Trump po shkel hapur kushtetutën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kongresistet muslimane Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib si dhe Alexandria Ocassia Cortez dhe Ayanna Pressley, anëtare të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve i janë përgjigjur Trumpit nëpërmjet një deklarate të përbashkët për media.
Kongresistet, të cilat kanë qenë të ekspozuara ndaj kritikave të presidentit Trump të cilësuara si “raciste”, thanë se Trump ka shkelur hapur Kushtetutën e vendit dhe duhet të shkarkohet.
Duke vënë theksin se është e papranueshme deklarata e Trumpit “të kthehen nga kanë ardhur”, Omar tha se “Trump mbron hapur axhendën e racistëve të bardhë dhe këto janë sulme të hapura raciste. Një president i tillë duhet të shkarkohet”.
Ndërsa Pressley, e cila ka mbrojtur idenë e saj se Trump me deklarata të tilla ka tërhequr në drejtime të tjera vëmendjen nga problemet e vërteta të SHBA-së, theksoi se ata nuk do t’i pranonin këto “nxitje”.
– Pelosi letër Trumpit
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi në një letër dërguar Trumpit ka vënë në dukje se kategorikisht është e papranueshme gjuha e përdorur nga presidenti.
“Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve nuk do të lejojë përdorimin e gjuhës në këtë mënyrë në lidhje me emigrantët”, ka thënë Pelosi.
Në llogarinë e tij në Twitter, Tump i përshkroi kongresistet demokrate Omar, Tlaib, Ocasio-Cortez dhe Pressley si “Kongresiste demokrate progresive” dhe për vendet për të cilët pretendoi se kanë emigruar anëtaret gra ai kishte thënë “janë një katastrofë e plotë në botë, vendet më të këqija, më të korruptuara dhe më qesharake”.
“Përse këto gra nuk shkojnë në vendet e tyre dhe t’i rregullojnë këto vende që janë të prishura dhe të rrethuara nga krimi?. Më pas rikthehuni dhe na tregoni se si janë. Këto vende kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe ju nuk mund të largoheni me shpejtësi të mjaftueshme. Unë jam i sigurtë se (Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve) Nancy Pelosi është e lumtur të organizojë udhëtim falas”, shkroi Trump duke bërë të ditur se i duket interesante që këto kongresiste tregojnë se si duhet të drejtohet SHBA-ja.
Në kundërshtim me atë që pretendon Trump, tre kongresistet e tjera, përveç Omarit, dihet se kanë lindur në SHBA.
Burimi: https://www.aa.com.tr/sq/