Kriza jonë e rëndë nuk vjen thjesht nga “drejtuesit e këqij”

12

Fitim Zekthi

Gjithkujt i ndodh të vrasë mendjen se çfarë është në gjendje të bëjë njeriu, deri në ç’gremina “njerëzore” apo morale mund ta çojë ai veten dhe pse? Kjo vramendje bëhet pa dyshim më e shpeshtë dhe torturuese kur sheh se si njerëzit kapen me thonj pas interesit të ngushtë, duke u bërë servilë të pështirë apo duke u kthyer në armiq të paepshëm vetëm për një post, një detyrë, një kandidaturë deputeti, ambasadori etj. Shumë torturuese bëhet kjo sjellje kur sheh njerëz që nginjen apo të tjerë që nuk nginjen së nginjuri duke vjedhur tenderë, koncesione, para të njerëzve të thjeshtë, të cilët jetojnë në baltë apo në pluhur pa ushqim ose ilaçe dhe me dhimbjen e pashtershme të prindërve, teksa nuk munden t’u japin fëmijëve këtë gjë kaq elementare.

Edhe më lebetitëse është kjo gjendje kur sheh se edhe në kohë pandemie bëhen tenderë të dyshimtë me miliona euro (digjet zyra e tenderëve dhe Prokuroria thjesht sheh); përdoret kjo kohë e rëndë krize për të përfituar në çdo mënyrë, teksa shumë e shumë njerëz nuk kanë mundësi as të dalin të mbledhin kanoçe për të fituar lekët e një buke dhe një shisheje qumësht.

E njëjta zabullimë përplaset mendjes, kur njerëz që kanë qenë për vite me radhë drejtues në administratë apo agjenci publike, pasi kanë ndërtuar vila me ato para, sillen si të ndershëm, përbetohen se janë të varfër dhe synojnë të bëhen deputetë për të ndihmuar këtë vend. Kur nuk bëhen, shpërthejnë në luftë ndaj atij që nuk i bëri.

E keqja shfaqet në forma të një hipokrizie të padurueshme, siç është përbetimi i Ramës se i dhimbsen njerëzit, se po sillet si baba i dhembshur, se nuk donte kurrë të ishte në këtë detyrë, se ishte gati ta linte detyrën n.q.s. do të “ikte virusi”. Po kjo hipokrizi shfaqet edhe te dhurimi i luleve për infermierët nga Rama apo Ruçi, apo (më rëndë akoma) te kryetari i bashkisë, Veliaj, që tha dikur se e ka bërë dasmën në kala me kursimet nga pensioni i nënës etj.

Dhuna e tmerrshme dhe djallëzore e vrasjes së gruas apo vëllait, e vrasjes së nënës apo babait apo bombardimet e qyteteve, gjenocidi, refugjatët që lihen në mes qiellit dhe detit, pa dyshim që e bëjnë çdo njeri të meditojë se ç’është në fakt natyra njerëzore. Mendimtarë të shumtë, tekste filozofike, teologjike etj., kanë folur gjatë mbi natyrën e njeriut. Nisur nga dhuna e madhe, luftërat, mizoritë, kampet e përqendrimit, perversionet, vrapimi pas epsheve, shumëkush mund të priret të mendojë se njeriu është në fakt një egërsirë. Në kohët moderne, këtë pikëpamje e mbrojtën mendimtarë të shquar si Freud, Nietzsche etj. Ndërkohë që, ata që janë quajtur humanistë e besojnë njeriun të mirë, e ngrenë atë në gjendjen engjëllore. Mendimi më zotërues, veçanërisht në besimet fetare (sidomos atë islam) është se njeriu qëndron në mes, se gjendet mes djallëzores dhe engjëllores dhe se ka potencialin të shndërrohet në njërën nga të dyja.

Pikërisht kjo gjë e bën njeriun të jetë një nga krijesat më të veçanta. Ndryshe nga engjëjt, bimët, pemët, kafshët etj., njeriu mund të zgjedhë të jetë i mirë ose i keq. Ai mund të jetë i dhembshur në rastin që zgjedh të jetë mizor, ai mund të jetë shkatërrimtar, agresiv, hipokrit, hajdut, i dhunshëm në momentin kur ne presim që ai të jetë i mirë dhe fisnik.

Njerëzit mund të përpiqen të nxënë, studiojnë dhe bëjnë punë shumë të mira, por ata mund të rrinë kot, të tallin të tjerët, të bëhen idiotë dhe të mos kenë asnjë dëshirë të sillen sikur kanë diçka tjetër veç mishit dhe dëshirave “mishtore”. Mund të jenë inteligjentë, njerëz që mendojnë, arsyetojnë ose mund të jenë kokëbosh, nga ata që janë lëndë e parë e asaj që Hannah Arendt e quante banaliteti i së keqes (ky lloj njeriu prodhoi monstrat që kryen krimet në komunizëm dhe fashizëm). Pra, njeriu mund të jetë mëkëmbës i Zotit në tokë, i ngarkuar me detyrën e dëshmimit të Tij dhe me mbrojtjen e së drejtës dhe së mirës. Kjo është pika në të cilën njeriu është krijesë e veçantë e Zotit dhe këtij njeriu i janë përulur edhe engjëjt.

Fetë e mëdha monoteiste besojnë se ky është njeriu, të cilit i ka folur Zoti përmes zbulesës dhe profetëve dhe kjo është krijesa që Ai do dhe mbron. Nga ana tjetër gjendet njeriu lakmitar, i pangishëm, shkatërrues, epshndjekës dhe jointeligjent, që mund të shkatërrojë veten, por mund të dëmtojë deri në shkatërrim edhe krijimin. Misteri i vullnetit të lirë, misteri i pyetjeve madhore si zgjedh dhe çfarë zgjedh njeriu, krijon pandalur një gjendje konstante tensioni, gjendje që e dallon njeriun nga pjesa tjetër e krijimit. Ka një dinamikë të vazhdueshme, e cila është shtrati në të cilin inteligjenca dhe vullneti i lirë e çon njeriun drejt mirësisë, së ndershmes, së drejtës apo drejt vesit, vetëkënaqësisë, vetëlavdërimit, pangopjes etj. Sigurisht, njeriu nuk është engjëll, por nuk është as djall dhe pikërisht kjo është arsyeja pse ai është aq i veçantë.

James Madison, një nga etërit themelues të SHBA-së dhe një filozof i rrallë i ligjit, thotë se në qoftë se njerëzit do të ishin engjëj, nuk do të na duheshin as ligje, as rregulla, as institucione. Nuk do na duhej asgjë. Në qoftë se njerëzit do të ishin engjëj, ata nuk do të ngarkoheshin me detyrën e përdorimit të inteligjencës dhe të vullnetit të lirë për të kërkuar të mirën dhe të vërtetën. Ky është fati i njeriut, një fat që e fut atë në një zinxhir të madh qeniesh. Pra, njeriu nuk është egërsirë, por ai ka mundësinë të jetë edhe më i keq se një egërsirë. Një egërsirë nuk ka vullnet të lirë dhe nuk ka as inteligjencë si ajo e njeriut. Një egërsirë udhëhiqet nga nevojat dhe dëshirat fizike. Duke keqpërdorur ose mospërdorur inteligjencën dhe duke rënë te dëshirat dhe nevojat fizike, njeriu mund të bëhet më keq se një kafshë. I takon të zgjedhë. Përderisa vetëm njeriu mund të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, atëherë vetëm për të ekziston shpërblimi dhe ndëshkimi. Gjithë thelbi qëndron te përdorimi i drejtë i vullnetit të lirë dhe i inteligjencës. Është e qartë se gjendja e sotme në Parlament, qeveri, politikë, ekonomi, shkolla, muzikë dhe kudo mund të jetë shumë më mirë vetëm duke përdorur inteligjencën dhe vullnetin e lirë.

Pa dashur të hyjmë në dallime ideologjike, duhet thënë se e djathta dhe konservatorizmi gjenden bash në rrënjë të këtij këndvështrimi. Për të majtën, në thelb nuk ka fare vullnet të lirë. Njeriu është një makinë biomolekulare dhe nuk ka fare nevojë të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes. Madje, as nuk mund të zgjedhë. Ai thjesht duhet të ndërtojë me arsye një shtet që i mundëson atij të shprehet apo vetërealizohet plotësisht, duke e caktuar vetë se çfarë është morali. Kjo nënkupton një botë pa Zot dhe një njeri të ardhur këtu vetvetiu, i cili është në qendër dhe duhet të ketë po veten në qendër të kësaj bote.

Kjo gjendje e jona sot, e rëndë në të gjitha drejtimet dhe sidomos rënia e pandemisë mund të jenë momente për një reflektim të thellë. Në përgjithësi, momente si këto gjatë historisë kanë shërbyer për reflektime të mëdha, për të shtyrë njeriun dhe shoqërinë drejt koordinatash ku metafizika dhe prania e trashedentales është më e madhe. Pa këtë zhvendosje, ne do të jemi gjithnjë e më keq.