Kurti kundër shembjes së Teatrit Kombëtar të Tiranës: Arkiva e një populli duhet të mbahet e paprekur nga regjimet

34

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar të Tiranës.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka thënë se i mbështet artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën Teatrin Kombëtar.

MARKETING 420 x 60

Kurti ka thënë se duhet mbrojtur kultura në çdo cep, pasi ndër vite është shtypur me diktatura të ndryshme.

“Ne duhet të jemi mbrojtësit e çdo cepi të kulturës sonë. Një pjesë e saj na është vjedhur nga pushtuesi serb – 1.200 artefakte kulturore të Kosovës. Një pjesë tjetër na është shtypur e ndrydhur nga diktatura e ideologji, na është sulmuar nga akademitë e fqinjëve, na është shitur e rrënuar prej paditurisë zyrtare a korrupsionit institucional”, thotë Kurti.

Më tej thekson se “arkiva e një populli, kujtesa e tij, duhet të mbahet e paprekur nga regjimet. Kultura është krijuar nëpër historitë e regjimeve, por në thelb të saj është krijimtaria dhe aderimi i një populli.”

Kurti konsideron se, shembja e teatrit në Tiranë ka ndodhur si pasojë e interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

“Kur shembet një monument kulture, kjo nuk ndodh si pasojë e një gjykimi të pjesshëm, që vjen prej shijes së veçantë të dikujt, por prej interesave të përkohshëm që lidhen me përfitimet e disave.

I përshëndes dhe i mbështes tërë artistët dhe qytetarët e Tiranës që e mbrojtën kaq gjatë Teatrin Kombëtar. Kur ndodhin humbje, ngjarjen sa edhe vetë humbja, e shënon në histori rezistenca. Në rezistencë mësojmë, e meqë nuk i harrojmë ato mësime, ata që sot përfitojnë, nesër humbin, kurse ata që humbin fitojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.