Kurti: LDK-së mund t’ia japim postin e Presidentit, por ne duhet ta marrim Ministrinë e Punëve të Brendshme

40

Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në qoftë se LDK, insiston në postin e Presidentit, atëherë LVV-së duhet t’i takojë Ministria e Punëve të Brendshme.

Kurti sonte ka bërë të ditur se në seancën e nesërme konstituive të Kuvendit të Kosovës shkojnë pa marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Përmes një videopostimi në Facebook, Kurti ka treguar çështjet për të cilat nuk kamën mundur të gjejnë mirëkuptim në bisedimet me LDK-në, por edhe për ofertën e fundit që i ka bërë partisë me të cilën synojnë të bashkëqeverisin, raporton Telegrafi.

Ai ka thënë se nëse  LDK insiston ta ketë edhe pozitën e presidentit, atëherë  LVV-së duhet t’i shtohet edhe një ministri, e ajo do të ishte Ministria e Punëve të Brendshme.

“Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK-ja insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për president, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes”, ka deklaruar kryetari i VV-së.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është caktuar për datën, 26 dhjetor. Nëse arrihet konstituimi i këtij institucioni, atëherë do të rrjedhë edhe afati 15-ditor për formimin e qeverisë.