Kurti: LVV e sheh LDK-në si partner të vetëm për lidhjen e koalicionit

19

Të dielën, Lëvizja Vetëvendosje, mbajti mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.  

Në këtë takim, lideri i LVV-së, Albin Kurti tha se viti që po mbyllet, ka qenë vit i humbur, nga këndvështrimi i interesave shtetërorë të Kosovës. E gjithë kjo sipas tij, për shkak të një qeverisje e paaftë dhe e kapur.

Kurti ka thënë se Kosova ka shënuar dobësim e regres si në politikën e jashtme ashtu edhe në sferat e brendshme të zhvillimit ekonomik, drejtësisë, arsimit e shëndetësisë.

“Por nga aspekti i perspektivës, viti i shkuar ishte i rëndësishëm, sepse edhe një herë Lëvizja Vetëvendosje shënoi rritje elektorale, duke dalë sërish e para e duke fituar të drejtën për të themeluar qeverinë”, thotë LVV.

Albin Kurti theksoi edhe një herë vendosmërinë dhe përkushtimin e Lëvizjes për ta përmbushur mandatin që votuesit na e dhanë, duke parë si partner të vetëm për koalicion Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm përshëndeti dy aktivistët, Glauk Konjufcën dhe Arbërie Nagavcin, të cilët u zgjodhën nga Kuvendi i Kosovës si kryetari e nënkryetarja e organit më të lartë të Republikës.

Më pas vijuan diskutimet e debatet mbi situatën politike, sfidat e brendshme e ato rajonale, si dhe u shtjelluan nevoja për përforcime strukturore të Lëvizjes, për të fuqizuar pjesëmarrjen e grave, të rinjve e mërgatës”, thuhet në njoftim.