Kurti mesazh qytetarëve: Mos ta humbim ndeshjen në dhjetë minutat e fundit, rritja e numrit të të infektuarve është brengosëse

28

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar sot Klinikën Infektive në QKUK.

Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti ka thënë se qëllimi i kësaj vizite ishte ofrimi i mbështetjes së tyre si qeveri në detyrë.

MARKETING 420 x 60

Kurti ka kërkuar nga qytetarët respektim të masave, duke thënë se nuk duhet ta humbasim betejën me pandeminë në 10 minutat e fundit.

“Ishim këtu për të bashkëbiseduar me udhëheqësit me mjekët për sfidat që i kanë por edhe për tua dhënë mbështetjen tonë si qeveri në detyrë, në mënyrë që të mos e humbin ndeshjen në 10 min e fundit kur fitoren e kemi afër. Vetëm kur jemi bashkë fitojmë, duke respektuar udhëzimet e institucioneve shëndetësore”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se numri i rasteve me COVID-19 në dy ditët e fundit ishte brengosës.

“Ftojmë qytetarët që në mënyrë rigoroze t’i zbatojnë masat që i kemi ndërmarrë. Qytetarët i kanë 3 orë për të dalë, edhe ato nuk është mirë që ti shfrytëzojnë pa nevojë sepse duhet ta ruajmë secili veten tonë dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin. Këto dy ditët e fundit kemi diçka brengosëse sepse numri i të infektuarve ka kaluar numrin e të shëruarve”, tha Kurti.

Ai tha se lehtësimi i masave restriktive më 18 maj do të varet nga numri i të shëruarve në tri ditët e ardhshme.

Sipas tij nëse numri i të infektuarve është më i madh se i shëruarve do t’i shohin mundësitë për nevojën ose jo të lehtësimit të masave.

Kryeministri në detyrë falënderoj gjithë stafin mjekësor për punën që po bënë.