Lëvizja BESA: Të fiksohet data për zgjedhje të parakohshme parlamentare

44

Lëvizja BESA kërkon të fiksohet data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dhe në ndërkohë të ulet në tavolinë për rekomandimet e KE-së, njofton Portalb.mk.

“Lëvizja Besa ka shumë vërejtje për mos implementimin e marrëveshjes me Qeverinë gjatë ndryshimeve kushtetuese si dhe me propozim ligjin për prokurorinë publike dhe për propozim ligjin e regjistrimit të popullsisë. Ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë për të zhbllokuar procesin reformues, mirëpo paraprakisht kërkojmë nga Qeveria aktuale që të fiksojmë datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe deri në mbajtjen e zgjedhjeve jemi të gatshëm të ulemi dhe të japim zgjidhjet më të mira që do ishin konform rekomandimeve të Komisionit Evropian”, tha në konferencë për shtyp sekretarit gjeneral i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha.

MARKETING 420 x 60

Sipas tyre, Maqedonia e Veriut tashmë ndodhet në një udhëkryq të ri, i cili, siç thonë ata, po vë në pikëpyetje ardhmërinë evropiane të vendit.

“Qeveria aktuale përmes politikave të saj të gabuara, po kthen vendin shumë prapa në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Skandali me rastin “Zhvatja”, ka dëmtuar rëndë kredibilitetin e Prokurorisë Publike Speciale, rastet e pazgjidhura me eksponentët qeveritar që dëgjoheshin në disa audio incizime, si dhe mos marrja e ftesës për fillimin e negociatave me BE para se të ndodhin këto skandale të njëpasnjëshme, përfundimisht nxorën në pah dobësitë e shumicës parlamentare, e cila po dëshmon se nuk ka kapacitet por edhe kredibilitet politik që të udhëheqë me këtë shtet”, tha Hoxha.

Lëvizja BESA është e bindur se tetori nuk do sjellë asnjë ndryshim rreth datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, dhe se ky muaj, sipas tyre është vetëm blerje kohe nga ana e qeverisë aktuale.

“Ne si parti opozitare, duke dashur që të dëshmojmë para opinionit publik, po zgjatim dorën e bashkëpunimit duke kërkuar nga shumica parlamentare fiksimin e datës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa deri në mbajtjen e tyre të implementojmë marrëveshjen nga ndryshimet kushtetuese, të sjellim ligjin për prokurorinë publike dhe të dakordojmë që regjistrimi i popullsisë të jetë i karakterit statistikor ndërsa të drejtat politike të bashkësive etnike të rregullohen me regjistrin për menaxhim elektronik në kuadër të Ministrisë së Informatikës dhe Administratës Publike”, thonë nga Lëvizja BESA.