Ligji në seancë plenare, nga 1 janari mund të ketë rritje të pensioneve

21

Kaloi në Komisionin kuvendor për punë dhe politikë sociale plotësimi i Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, ku planifikohet rritja e pensioneve për 700 denarë.

Tash në seancën e plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut duhet të kalon ky Ligj, ashtu që nga 1 janari pensionistët të gëzojnë këtë rritje.

Në Komision u refuzuan dy amendamentet e partisë VMRO-DPMNE, përkundër asaj se kryetar i këtij Komisioni është deputeti opozitar Vllatko Gjorçev. Ai akuzoi LSDM-në që nuk dëshiron rritje të pensioneve.

Përndryshe, ministrja për punë dhe politikë sociale, Mila Carovska ka njoftuar personalisht pensionistët se sistemi i pensioneve është i qëndrueshëm dhe pensionet janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten. Ajo gjithashtu i informoi ata për rritjen e ardhshme të pensioneve në janar 2020, ku pensionet do të rriten për 700 denarë për të gjithë pensionistët, e cila me rregullime shtesë deri në fund të vitit do të arrijë nga 860 deri në 900 denarë.

“Rritja e pensioneve është planifikuar me llogaritje të shëndosha dhe në kushte kur kemi stabilizim të sistemit të pensioneve, por edhe kur kemi rritje ekonomike në vend. Zgjidhja sistematike parashikon rritje shtesë të pensioneve që, përveç rritjes së PBB-së, të mund të rritet edhe nga rritja e pagave. Në vitet e rritjes së pagave minimale mbi 15%, dhe rritjes mesatare të pagave prej 5%, do të ketë një mundësi për të rritur pensionet me 5%”, tha Carovska.

Pensioni mesatar nga janari i vitit të ardhshëm është parashikuar në 15.500 denarë, ndërsa Qeveria për vitin 2020 në buxhet, i cili është në Parlament dhe këtyre ditëve duhet të miratohet, parashikon rritje prej 700 denarëve dhe harmonizim shtesë prej rreth 200 denarëve, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.