LSDM-ja nuk heq dorë nga modeli me një Njesi Zgjedhore

13

LSDM-ja nuk do të heqë dorë nga përpjekja për modelin me një njësi zgjedhore dhe shpreson që me argumente do t’i bindë partitë kundërshtuese për rëndësinë e tij. Kreu i partisë dhe kryeministri Zoran Zaev shpreson për një marrëveshje në periudhën që vjen.

Ne nuk heqim dorë. Ne jemi partnerë me të gjithë dhe këtë duhet ta bëjmë për të gjithë. Nuk duam, nuk kemi të drejtë dhe nuk duhet të heqim dorë. Unë jam i bindur se me kaq shumë amendamente nga VMRO-DPMNE-ja dhe nga BDI-ja ky duket një mision i pamundur por kjo hapë mundësinë për dialog, për bisedimet dhe për gjithçka. Besoj se në periudhën që vjen do të gjejmë mënyrë që me fuqinë e argumenteve të bindemi çfarë është më e rëndësishme – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Të të njëjtit mendim janë edhe deputetët nënshkrues të nismës për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash. Sipas tyre, organizimi i diskutimit publik në Kuvend nuk është jashtë Rregullores se Kuvendit.

Gjëja më e logjikshme është të fillojë debati i përgjithshëm në parlament, përsëri të vazhdojmë me ballafaqimin e argumenteve, t’i mbledhim konkluzionet nga diskutimi publik dhe më vonë, kur të përkthehen amendamentet, ose të debatojmë për argumentet, ose deri atëherë kolegët e partive të tjera do të binden se nuk ka nevojë për të penguar procesin – tha Liljana Popovska, deputete e nismës.

Kreu i Komisionit për sistem politik Aleksandër Kiracovski thotë se debati publik i paraparë për ditën e mërkurë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor do të mbahet, me ose pa pëlqimin e kreut të Kuvendit Talat Xhaferi.

Unë mund t’u garantoj dhe t’u premtoj se diskutim publik ose debat publik për këtë ligj do të ketë. A do të lejojë kryeparlamentari që ai debat të jetë në Kuvend, siç i ka hije, ose nuk do të lejojë dhe do ta organizojmë atë në korridorin e Kuvendit, te shkallët ose diku jasht në ndonjë sallë konferencash, kjo nuk ka rëndësi”-pohoi Aleksandër Kiracovski, kryetar i Komisionit për sistem politik.

Kryeparlamentari Xhaferi një ditë më parë deklaroi se Rregullorja e Kuvendit nuk parashikon mundësinë e diskutimit publik në Kuvend për ligjet që janë me procedurë të shkurtuar. Për më tepër, ai tha se vendi për diskutim publik merret në procedurë plenare dhe jo në komision. Deputetët e partive më të vogla propozojnë një njësi zgjedhore, lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash dhe përfaqësim të barabartë gjinor në lista. Propozimi i tyre mbështetet vetëm nga LSDM-ja kurse kundërshtohet fuqishëm nga BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat madje kanë dorëzuar rreth 6 mijë amendamente. /Alsat M/