Lubonja: Nëse fiton Biden, do të ulë tensionet, por nuk besoj se do të sjellë diçka të re

148

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se në zgjedhjet amerikane, Donald Trump është i vetmi që po mohon faktet.

 

Ai shtoi se kishte parashikuar se amerikanët do e dëbonin Trump nga presidenca këtë herë, por u pa se SHBA ishte e ndarë.

“E kam ndjekur edhe NBC, edhe CNN. Mediat amerikane në tërësi janë korrekte. Fox News është më pro Donald Trump, por përpos anësisë, është edhe korrektesa, duke mos mohuar faktet. Trump është i vetmi që po mohon faktet.

Kam menduar se Trump ishte një president “aksident” dhe kam menduar se në këto zgjedhje e do të humbte, besoja. Por ndoshta gabuam, sepse ajo që pamë ishte një Amerikë e ndarë më dysh. Kjo ndarje ka qenë në Amerikë, por edhe Trump i ka vënë zjarr kësaj përçarje”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja nënvizoi se klasa punëtore sot në SHBA duket e braktisur.

“Klasa punëtorë në SHBA ndihet e braktisur. Trump nga ana ekonomike ka bërë ca gjëra. Mobilizimi pro Trump është i frikshëm. Uroj që të fitojë Biden, sepse tha se do të ulë tensionet, pasi nuk besoj se do të sjellë diçka të re”, deklaroi Lubonja. /Panorama.al