Wednesday, November 25, 2020
Ballina Politikë Maqedoni Maqedoni: Javën e ardhshme nisin regjistrimet në shkollat e mesme

Maqedoni: Javën e ardhshme nisin regjistrimet në shkollat e mesme

15

Nxënësit të cilët javën e ardhshme do të regjistrohen në shkolla të mesme, së bashku me dokumentacionin e plotë të nevojshëm të kërkuar në konkurs, duhet të kenë edhe paraqitje, të cilën mund ta marrin nga ueb-faqja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës “www.mon.gov.mk“.

Formulari për paraqitje është i kapshëm në katër gjuhë (mësimore) – maqedonase, shqipe, turke dhe serbe. Nevojitet që secili nxënës ta shtypë, plotësojë dhe ta dorëzojë në shkollë së bashku me dokumentet e tjera.

Regjistrimet në shkollat e mesme për vitin mësimor 2020/2021 do të jenë javën e ardhshme dhe do të mbahen në pajtim me udhëzimet nga Protokolli i miratuar nga Qeveria sipas rekomandimit nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, i cili iu është dërguar të gjitha shkollave.

Paraqitja e parë do të jetë më 16, 17 dhe 18 qershor në periudhë prej orës 7:00 deri në orën 19:00, si dhe më 19 qershor, prej orës 7:00 deri në orën 13:00. Shkollat në të cilat numri i nxënësve të paraqitur në vitet e fundit është më i vogël se numri i paraparë në konkurs, mund të organizojnë paraqitje të nxënësve vetëm në ditët 16 dhe 17 qershor. Ranglistat me nxënës të regjistruar do të shpallen më 19 qershor pas orës 15:00.

Në shkollat e mesme për arsim muzikor, paraqitja e nxënësve do të realizohet më 16 dhe 17 qershor, ndërsa në ditët 18 dhe 19 qershor do të organizohet provim kualifikues në pajtim me protokollet e miratuara.

Nga MASH theksojnë se çdo shkollë ka obligim në suaza të periudhës së caktuar (prej orës 7:00 deri në orën 19:00 për të gjithë tre ditët, përkatësisht prej orës 7:00 deri në orën 13:00 më 19 qershor), të caktojë periudhë interne kohore për pranim të dokumenteve, të publikojë orar për pranim të dokumenteve sipas rendit alfabetik nga mbiemri dhe ato t’i publikojë në vend publik në shkollë më së voni deri më 12 qershor 2020.