Maqedoni, ligji për drogat bllokohet në komision

5

Komisioni i Kuvendit për shëndetësi nuk e zhvilloi debatin për ligjin për droga, kështu që zënkat partiake mes pushtetit dhe opozitës u zhvendosën në qendrën e konferencave për shtyp të Kuvendit.

Deputeti i VMRO DPMNE-së Vllatko Gjorçev, apeloi që LSDM ta tërheqë ligjin, duke thënë se i njëjti është vetëm për dobitë e familjes së Zoran Zaevit, përkundër interesave të shumicës së qytetarëve.

MARKETING 420 x 60

“Kemi plantacione të drogave që i posedojnë familja Zaev në Sveti Nikollë, Vallandovë, avokati i Zaevit ka plantacione në Strumicë dhe gjithë kjo në llogari të shëndetit publik dhe në llogari të qytetarëve. Ne kemi nevojë për investime dhe BE-në, e jo për Kolumbi, jo për terapi Metadoni për të rinjtë tonë”, deklaroi Vllatko Gjorçev.

Gjorçevit iu përgjigj deputetja e LSDM-së Jagoda Shahpanska, e cila i kujtoi se ligjin për droga dhe substanca narkotike për qëllime mjekësore e ka miratuar VMRO DPMNE-ja në vitin 2016. Në këtë propozim-ligj, pohon ajo, vetëm përcaktohen disa kushte për prodhimtarinë dhe lëshimin në qarkullim për qëllime mjekësore.

Nga ana tjetër, prodhuesit e lules së kanabisit për qëllime mjekësore bëjnë presion për miratim sa më të shpejtë të ligjit para zgjedhjeve. Humbjet e deritanishme për shkak të pamundësisë së eksportit ata i vlerësojnë në 50 milionë euro.