MASH: Vendimi i Gjykatës Administrative nuk nënkupton që Taravari ka vepruar në mënyrë të ligjshme

19

Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerëson se vendimi i Gjykatës Administrative nuk nënkupton se Komuna e Gostivarit ka vepruar në mënyrë të ligjshme derisa i ka emëruar/shkarkuar drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, njofton Portalb.mk.

“Një aktgjykim i këtillë, sipas përmbajtjes së letrës së Gjykatës Administrative, është sjellë sepse MASH-i nuk ka siguruar të gjithë dokumentacionin në lidhje me këtë rast, si dhe për shkak se një pjesë e shkresave që janë dorëzuar nuk kanë qenë të lexueshme. Por, ky aktgjykim nuk nënkupton se gjykata konfirmon që komuna ka vepruar në mënyrë të ligjshme kur ka shkarkuar dhe emëruar drejtorët e shkollave dhe as nuk do të thotë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka vepruar siç duhet në vendimin për marrjen e kompetencave në këtë segment. Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Administrative, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dy mundësi: e para – të rimerr vendim për marrjen e kompetencave komunës dhe e dyta të ankimojë aktgjykimin në Gjykatën e Lartë Administrative”, thonë nga MASH.

Ministriae Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të përdorë mundësinë e dytë juridike dhe ka filluar procedura para Gjykatës së Lartë Administrative, për të cilën është dorëzuar i gjithë dokumentacioni me të cilin Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Komisioni Shtetëror për Procedurën e Marrëdhënies së Punës në Shkallë të Dytë kanë konstatuar, sipas MASH, një sërë parregullsish në punën e komunës dhe në bazë të së cilës është vepruar në këtë rast.

“Shpresojmë se sikurse 1 vit më parë, organi kompetent do të rikonfirmojë emërimin dhe shkarkimin e paligjshëm të drejtorëve në shkolla nga Komuna e Gostivarit përmes marrjes së vendimeve në bazë të politikës dhe përkatësisë politike të zgjidhjeve kadrovike”, thonë nga MASH.

Ndryshe, sot kryetari i Gostivarit, Arben Taravari sot njoftoi se ka pranuar vendimin e Gjykatës Administrative, ku theksohet se “padia e Komunës së Gostivarit është PRANUAR. Vendimi nr.08-2133/1 prej 13.02.2019 i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është ANULUAR”.

Vendimi i MASH-it përcaktonte marrjen e kompetencave për arsim për 9 muaj komunës së Gostivarit për herë të dytë. Këtë vendim MASH-i e arsyeton me shkeljet procedurale të përsëritura të Taravarit gjatë shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve në shkollat fillore dhe të mesme.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë ia ka marrë kompetencat Taravarit në lidhje me shkollat. Ministria si shkas për marrjen e kompetencave e ka theksuar se kryetari i Komunës e ka shkelur ligjin gjatë shkarkimit/emërimit të drejtorëve.

Loading...