Kancelarja Angela Merkel sot ka mbushur 65 vjet. Mësohet se ditëlindjen ajo do ta kalojë duke punuar pasi agjenda i parashikon disa takime të rëndësishme.
Merkeli është lindur me emrin Angela Dorothea Kasner në vitin 1954 në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore.
Merkeli ka origjinë gjermane dhe polake. Gyshi nga babai Ludwik Kasner ishte një polic gjerman me etnicitet polak, që kishte marrë pjesë në luftën e Polonisë për pavarësi në fillim të shekullit 20. Vetëm në vitin 1930 familja e saj nga babai e kishte gjermanizuar mbiemrin Kazmierczak në Kasner.
Që nga mesi i viteve 90 ajo publikisht ka përmendur origjinën polake dhe në disa raste e ka përshkruar veten si çerek-polake.
Ajo kishte studiuar për fizikë në Universitetin Karl Marx në Leipzik nga viti 1973 deri më 1978. Gjatë shkollimit Merkel kishte mësuar të fliste rrjedhshëm rusisht dhe kishte marrë shpërblim për aftësitë e saj në rusisht dhe në matematikë.
Në vitin 1977, Angela ishte martuar me Ulrich Merkelin që ishte student i fizikës duke e marrë mbiemrin e tij. Martesa kishte përfunduar pas pesë vitesh. Në martesën e dytë ajo ishte martuar me Joachim Sauerin, i cili kishte mbetur larg vëmendjes së mediave.
Merkeli është adhuruese e flaktë e futbollit dhe njihet se i dëgjon ndeshjet ndërsa punon në Bundestag dhe po ashtu përcjell nga afër ekipin kombëtar të Gjermanisë.
Ajo ka frikë nga qentë pasi ishte sulmuar nga një i tillë në vitin 1995. Vladimir Putini, i kishte sjellur dhuratë një Labrador gjatë një konference për shtyp në vitin 2007 duke e frikësuar kancelaren. Ai kishte thënë që s’e kishte pasur ndëremend ta frikësonte por Merkeli megjithatë ishte hakmarrë duke thënë, “E kuptoj pse duhej ta bënte këtë – që të tregonte se është burrë… ai ka frikë për dobësitë e veta.”
Kritikat
Merkeli është kritikuar ashpër që ka mbështetur karikaturistin danez Kurt Westergaard i cili e kishte bërë karikaturën e profetit Muhamed. Në të njëjtën kohë ajo e kishte dënuar djegien e planifikuar të kuranëve nga një pastor fundamentalist në Floridë.
Deklarata e saj “Islami është pjesë e Gjermanisë” gjatë vizitës shtetërore të kryeministrit turk Ahmet Davutoglu në janar të 2015-s kishte shkaktuar po ashtu bujë të madhe dhe kishte nxitur sulme të rënda kundër saj. /Periskopi/