Meta apel Ruçit: Ndihmoni Ramën

19

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta i kthen përgjigje shkresë-kërkesës së Kuvendit të Shqipërisë lidhur me arsyet e çdekretimit të 30 qershorit dhe dekretimit të 13 tetorit si datën zyrtare të zgjedhjeve vendore.

Në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi,Meta thotë se maxhoranca po bën çdo përpjekje për asgjesimin e opozitës reale dhe demokratike në vend dhe synon dhe kapjen e të vetmit institucion të pavarur siç është aktualisht Institucioni i Presidentit të Republikës.”

Meta i kërkon ndihmë Ruçit që të ndihmojë Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste.

“Ju e dini si askush tjetër se sa kundër djegies të mandateve ka qenë dhe është Presidenti i Republikës. Një veprim i pajustifikueshëm i opozitës, i cili ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ.

Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë”

Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike. Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Besoj se ju me përvojën Tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet.”

Meta gjithashtu përsërit se është gati për të bashkëpunuar dhe ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit.

“Së fundmi, Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm, bashkëpunues dhe me vetëdije të plotë, për të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar” .